Deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi, thotë se në Kuvendin e 11 dhjetorit do të votohet edhe për shkarkimin e Kryedemokratit Lulzim Basha.
Në një intervistë për Ora News, me gazetarin Everest Deda, deputeti thekson se vendimet e gabuara strategjike që ka marrë Basha ndër vite kanë dërrmuar Partinë Demokratike, duke e çuar në konflikt edhe me ndërkombëtarët.
“Statuti e parashikon që kryetari shkarkohet nga kuvendi kombëtar. Kryetari i Partisë shkarkohet nga kuvendi. Tashmë nuk ka dyshim që e gjitha po projektohet drejt asaj për një seri veprimesh që ka marr zoti Basha që na kanë çuar edhe tek humbja e zgjedhjeve. Është e pa diskutueshme blerja masive e votës që ka bërë Rama, që është vepër penale, kriminale. Por nga ana tjetër kemi një Bashë që ka marr vendime strategjike të gabuara. Jo para 25 prillit, por duke filluar nga ngritja e çadrës e këtej që kanë çuar PD në turbulenca duke dërrmuar energjitë e partisë edhe në raport me ndërkombëtarët”, tha ai.
Deputeti Oerd Bylykbashi shprehet se tashmë me Kryedemokratin Lulzim Basha nuk ka asnjë lloj marrëdhënie.
Këtë deklaratë ai e bëri në një intervistë për Ora News, me gazetarin Everst Dedaj, ku tha se Kryedemokrati e ka sulmuar drejtpërdrejt gjatë kohës kur bënte fushatë individuale për zgjedhjet e 25 prillit.
“Në aspektin e moshës jemi mesatar. Raportet miqësore kanë bërë të mundur që unë t’i them çdo gjë, dhe që unë mos ta shoh Bashën si shef. Nuk është shefi im, s’ka qenë ndonjëherë. Ka qenë kryetari i partisë time. Nuk kam marrëdhënie tani me të. Basha më ka sulmuar nëpërmjet të dërguarve të tij drejtpërdrejt gjatë fushatës vetëm se po bëja fushatë individuale. Ishte një goditje e qëllimshme. Këtu nuk ka gjëra personale”, tha Bylykbashi.