Kryetarja e Grupit Parlamentar Demokrat, Rudina Hajdari thotë se “çështja e Valdrin Pjetrit vërteton për të disatën herë se sa i korruptuar dhe i dështuar është sistemi ynë politik.”
Sipas saj, fakti që një person me rekorde kriminale vendoset për të marrë postin e kryebashkiakut të Shkodrës, nuk është problem i individit, por problemi qëndron te liderët partiakë.
“Një individ me të kaluar kriminale vendoset si përfaqësues i Partisë Socialiste për të marrë postin e Kryetarit të Bashkisë në qytetin e Shkodrës. Problemi nuk qëndron tek individi, sa tek liderat partiakë që promovojnë figura të pista në pozicione të larta drejtuese apo sistemi i kalbur politik që lejon pseudo-liderat partiakë të tallen me qytetarët shqiptarë.
Ajo që është akoma dhe më shqetësuese është se nuk ekziston një alternativë për qytetarët, një figurë politike që t’i besojnë, pasi fatkeqësisht u është mbushur mendja se të gjithë janë njësoj. Kanë humbur besimin tek kjo kastë politike që sheh vetëm interesin personal, duke e lënë në harresë interesin publik. Qytetarët shqiptarë janë të distancuar komplet dhe nuk reagojnë edhe kur ndodhin ngjarje të tilla absolutisht të papranueshme, për një vend që aspiron futjen në BE, pasi u ka vdekur shpresa”, shprehet deputetja Hajdari.
Sipas saj, “e vetmja zgjidhje është ndryshimi i këtij sistemi politik e zgjedhor që po fundos Shqipërinë përditë e më shumë.”
“Opozita Parlamentare do të vijojë luftën kundër këtij sistemi akoma dhe më e vendosur me Reformën Zgjedhore, në mënyrë që shqiptarëve t’u jepet mundësia të jenë të përfaqësuar nga individë me figurë të pastër, si nga ana ligjore ashtu edhe nga ana etike”, thotë Rudina Hajdari.