Real Madridi e ka mposhtur lehtësisht 2:0 Atletico Madridit në derbin madrilen të dielën, duke e krijuar një epërsi të pakapshme në krye të tabelës në La Liga herët në sezon.
Karim Benzema dhe Marco Asensio shënuan nga një herë në Santiago Bernabeu për ta mposhtur kampionin në fuqi, duke e konfirmuar formën mahnitëse të skuadrës së Carlo Ancelottit.
Kjo ishte fitorja e shtatë radhazi e Realit në ligë, i cili ia shkaktoi disfatën e dytë radhazi rivalit Atletico.
Real Madridi tani mbledh 42 pikë nga 17 ndeshje në krye të tabelës në La Liga, tetë më shumë se Sevilla në vendin e dytë, e cila ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Atletico ngel në vendin e katërt me 29 pikë, aq sa ka edhe Real Sociedadi në vendin e pestë. Real Betisi është i treti me 33 pikë.
Benzema e theu akullin kur e kaloi Realin në epërsi me një goditje të mrekullishme brenda zonës, pasi u shërbye nga Vinicius Junior në minutën e 16-të.
Asensio e dyfishoi epërsinë e vendasve dhe e vulosi fitoren kur akrepat shënuan një orë lojë në Bernabeu, duke e mposhtur portierin Jan Oblak me një goditje nga afërsia pas një asisti tjetër nga Junior.
Atletico krijoi shumë raste shënimi në pjesën e dytë, por portier Thibaut Courtois i bëri disa pritje mahnitëse për t’ua mohuar golin vizitorëve.