6 ambasadorë zbarkuan këtë të martë, 14 dhjetor në selinë e Partisë Demokratike vetëm një ditë pasi aty u rikthye Sali Berisha. Lulzim Basha tha se foli me ta “për të djeshmen, të sotmen, të ardhmen”. Zyra e BE-së në Tirane bëri të ditur për RTV Ora se takimi ishte kërkuar nga kryetari demokrat.
Vetëm një dite pasi Seli Berisha u rikthye në selinë e Partisë Demokratike, aty mbërritën ambasadoret e vendeve perëndimore në Tiranë.
Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Europian , Francës, Gjermanisë, Anglisë e Italisë zhvilluan një takim me dyer të mbyllura me Lulzim Bashën dhe tre funksionarë të tjerë të Partisë Demokratike.
Kryetari i Partisë Demokratike i përcolli vetëm me një frazë gazetarët e interesuar për përmbajtjen e bisedës me diplomatët ndërkombëtarë.
“Takimi i sotëm me ambasadorët ishte për të djeshmen, për të sotmen dhe për të ardhmen,” tha Basha.
Asnjë nga ambasadorët nuk bëri koment mbi qëllimin e kësaj vizite në selinë e Partisë Demokratike dhe as për bisedën me kryetarin Basha.
Zyra e Bashkimit Europian në Tiranë i tha Ora News se ky takim është thirrur nga kryetari i Partisë Demokratike.
Ky i fundit një ditë më parë u përball me një lëvizje të beftë të Sali Berishës dhe Komisionit për Rithemelimin e Partisë Demokratike.
Ata zhvilluan mbledhjen e parë në Selinë qendrore të PD-së në Tiranë nga ku Berisha tha se do ta çojë deri në fund misionin e tij përfshi dhe referendumin e 18 dhjetorit.
Po ashtu në këtë datë Basha ka thirrur dhe Kuvendin Kombëtar.
Në prag të Kuvendit kryetari i demokratëve, edhe këtë të martë ka ndarë një tjetër mesazh me delegatet të cilëve u bëri thirrje të marrin pjesë në Kuvend.
Basha shkruan se PD ka rrëzuar kultin e individit duke u ndarë nga e shkuara dhe më 18 dhjetor demokratët zgjedhin me qytetari të ardhmen.