Lulzim Basha tha konflikti që Sali Berisha ka pasur dhe po thellon dita ditës më shumë është i shpërfaqur në sytë e të gjithëve dhe nuk ka asnjë dilemë.
Ai tha në Kuvendin e PD-së sot se një konflikt i tillë i ka kushtuar shumë Partisë Demokratike dhe çdo anëtari dhe votuesi të saj dhe prandaj theksoi është dita, që në këtë kuvend, të bëhet ndarja qartësisht nga kjo fazë.
“Sot, konflikti që Sali Berisha ka pasur dhe po thellon dita ditës më shumë është i shpërfaqur në sytë e të gjithëve dhe nuk ka asnjë dilemë. Nuk ka më asnjë dyshim se e gjitha kjo na ka kushtuar shumë. I ka kushtuar shumë Partisë Demokratike dhe çdo anëtari dhe votuesi të saj. Ndaj sot është dita, në këtë kuvend, që ne të ndahemi qartësisht nga kjo fazë e cila na ka kushtuar shumë, na ka rraskapitur, na ka lënë jashtë aksesit të pushtetit, na ka lënë jashtë institucioneve, ka ulur ndjeshëm shanset për të ardhur në pushtet, ka ulur ndjeshëm shanset për të realizuar projektet tona për zhvillimin e Shqipërisë dhe demokracisë Shqiptare.
Unë dua të shpall sot vullnetin tim, si kryetari i Partisë Demokratike, për mbylljen e këtij kapitulli të gjatë konfliktimi me partnerët tanë strategjikë. Partneriteti i plotë dhe pa dilema me SHBA, partnerin tonë strategjik që ishte në krahun tonë në betejën për përmbysjen e komunizmit dhe fitores së forcave demokratike, dhe mezi pret të jetë me ne deri në fitoren e ardhshme të PD në krye të qeverisjes së vendit, është në themel të PD-së, është në kodin gjenetik të PD”, tha Basha.
Për Lulzim Bashën këto kohë po spekulohet me sovranizmin, duke riciklikuar koncepte enveriste dhe populiste, të cilat shqiptarët i kanë vuajtur në kurriz si asnjë popull tjetër.
Sipas tij, këta perona po e përdorin sovranizmin për pushtetin e tyre personal, duke u dhënë partnerëve mesazhin “na lini në punën tonë” dhe duke shpresuar se kështu mund të manipulojnë me ndjenjat atdhetare të shqiptarëve.
Ai theksoi se sovranizmi që po predikohet këto kohë, është në fakt mburoja për zullumet e atyre, që kanë për qëllim të zhvlerësojnë shpalljet non grata, politikën amerikane,
“Shumë po spekulohet këto kohë me sovranizmin, duke riciklikuar koncepte enveriste dhe populiste, të cilat shqiptarët i kanë vuajtur në kurriz si asnjë popull tjetër dhe e dinë mirë që për ne sovranizëm përkthehet në vetmi, izolim dhe varfëri. Natyrisht, kohët kanë ndryshuar, sovranizmi i këtyre zotërinjve nuk mund të jetë ai që ishte në Shqipërinë e mbyllur. Por pika ku takohen këta me të shkuarën komuniste është një: Përdorimi i sovranizmit për pushtetin e tyre personal, duke u dhënë partnerëve mesazhin “na lini në punën tonë” dhe duke shpresuar se kështu mund të manipulojnë me ndjenjat atdhetare të shqiptarëve që Shqipërinë e kanë mbi gjithçka”, shtoi Basha.