Parisi do t’i kërkojë Komisionit Evropian të hapë procedurë për mosmarrëveshjen
Franca u kërcënua me rrugë ligjore kundër Britanisë për të siguruar licencat e peshkimit që ajo beson se i takojnë asaj, njoftoi qeveria të premten, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Ne do të kërkojmë nga Komisioni Evropian që të fillojë një procedurë ligjore për licencat për të cilat kemi të drejtë. Ky është prioriteti më i lartë, më i rëndësishmi”, tha Clement Beaune, Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane, sipas BFMTV news.
Ai gjithashtu përmes një postimi në Twitter tha se përveç proceseve gjyqësore, qeveria po mobilizon të gjitha mjetet, duke përfshirë dialogun, mbështetjen financiare dhe investimet afatgjata.
Beaune e bëri deklaratën pas një takimi të kryesuar nga presidenti Emmanuel Macron në Elysee midis ministrisë së detit, grupeve të peshkimit dhe zyrtarëve të zgjedhur nga rajonet bregdetare të peshkatarëve të cilëve u janë refuzuar licencat.
Pas negociatave disajavëshe me Britaninë dhe Komisionin Evropian, Franca siguroi 23 licenca të reja javën e kaluar.
Por Parisi këmbënguli se ishin të nevojshme 60 licenca shtesë dhe se do të vazhdonte luftën për të drejtat e peshkatarëve.
Macron bëri të qartë se Franca nuk do të tërhiqej.
“Ne nuk do ta lëmë këtë temë”, tha ai në një postim në Twitter. Ai ripostoi një video të fjalimit të tij nga një mbledhje të nëntorit ku kundërshtoi marrëveshjen tregtare pas Brexit-it për klauzolën e peshkimit.
Që nga Brexit, peshkatarëve nga Bashkimi Evropian u kërkohet të pajisen me licencë të re nga Britania, duke vërtetuar se ata kanë peshkuar tradicionalisht në ato ujëra më parë.
Franca dhe Britania janë në mosmarrëveshje rreth licencave në Kanalin Anglez, ndërsa Parisi akuzon Britaninë për refuzimin e lejeve për peshkatarët francezë. Franca ka bërë disa kërcënime me sanksione, si shtrëngimi i doganave, ndalesa e hyrjes në portet detare dhe ndërprerja e furnizimit me energji në ishullin Jersey nëse Britania nuk përmbush kërkesat e saj.
Qeveria britanike ka vazhduar të lëshojë licencat e duhura sipas marrëveshjes.