Tottenhami e ka ndalur Liverpoolin me një barazim 2:2, duke ia ndërprerë serinë prej gjashtë fitoreve radhazi në Premierligë, në një derbi të mrekullishëm i cili i pati edhe disa raste tejet kontroverse në referim.
Diogo Jota dhe Andy Robertson shënuan nga një herë për ta përmbysur rezultatin pasi Harry Kane e kishte kaluar Tottenhamin në epërsi herët në ndeshje, por Son Heung-Min e shpëtoi skuadrën e Antonio Contes nga humbja në Tottenham Hotspur Stadium falë një gabimi trashanik nga portieri Alisson Becker.
Skuadra e Jurgen Kloppit luajti më shumë se 10 minuta me një lojtar më pak, pasi Robertson u përjashtua me karton të kuq për një ndërhyrje jo sportive ndaj Emerson Royal pasi incidenti u rishikua në VAR.
Por Liverpooli u ankua pse Kane nuk u përjashtua me karton të kuq dhe ndërhyrje e tij ndaj Robertson herët në pjesën e parë nuk u rishikua fare në VAR, pavarësisht se u duk të ishte shumë e ashpër dhe e rrezikshme.
Si pasojë e këtij barazimi, që është ndeshja e parë në shtatë të fundit që Liverpooli lëshon pikë, skuadra e Jurgen Kloppit tani ngel tri pikë mbrapa liderit Manchester City në garë për titull por e rrit në tri pikë epërsinë ndaj Chelseat që është i tretë.
Tottenhami, i cili luajti për herë të parë pas dy javëve pushimi të detyruar si pasojë e rasteve të shumta me Covid-19 në skuadër, tani mbledh 26 pikë në vendin e shtatë, gjashtë pikë larg top katërshes, por tri ndeshje më pak të zhvilluara se rivalët.
Kane e kaloi skuadrën e Antonio Contes në epërsi kur e mposhti portierin Alisson me një goditje të bukur brenda zonës pasi u shërbye nga Ndombele në minutën e 13-të.

Dele Ali dhe Son lëshuan raste të arta për ta dyfishuar dhe trefishuar epërsinë për vendasit pas golit të Kane. Alisson e priti goditjen e Ali me maja të gishtërinjve.
Tottenhami pagoi për rastet e humbura, pasi Jota e barazoi rezultatin për të kuqtë kur e mposhti portierin Hugo Loris me një goditje fantastike me kokë pasi një harkimi nga Robertson në minutën e 35-të.

Loris ia moho golin Trent Alexander-Arnold me një pritje fantastike pas mbrojtësi anglez goditi fuqishëm nga jashtë zonës.
Kane dështoi ta kthejë epërsinë e Tottenhamit pak para se akrepat të shënonin një orë lojë, pavarësisht se u gjend i vetëm përballë Alissonit. Portieri brazilian e priti goditjen e tij të plogësht.
Dhe derisa lojtarët e Tottenhamit po protestonin për një penallti pas një ndërhyrje të Arnoldit ndaj Alisë në zonën e Liverpoolit, të kuqtë dolën në kundërsulm dhe Robertson e futi topin në portën boshe nga afërsia pas një harkimi të përkryer të mbrojtësit të djathtë anglez.

Por një dalje e pamenduar dhe e vonshme e Alissonit i dha mundësi Sonit ta fusë topin në portën boshe në minutën e 74-të, për ta barazuar rezultatin në 2:2 dhe për ta shmangur humbjen e Tottenhamit.

Robertson u përjashtua me karton të kuq në minutën e 77-të, kur e goditi ashpër Emersonin. Gjyqtari e kishte ndëshkuar me karton të verdhë mbrojtësin skocez, por pasi e rishikoi incidentin në VAR e ndërroi mendjen dhe e përjashtoi atë.

Tottenhami bëri përpjekje për t’i fituar të gjitha tri pikët duke e parë epërsinë numerike në fushë, por nuk qe në gjendje të krijojë mundësi të mirë shënimi.

