Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se mbështetja e Bashkimit Evropian për “Ballkanin e Hapur” është më shumë nga motivi që të mos dilet kundër idesë, sesa të përkrahet një projekt i tillë.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” të premten, Kurti ka thënë se BE-ja nuk dëshiron ta kundërshtojë një ide të tillë, ndonëse siç ka thënë, nuk po merr pjesë aktivisht në një projekt të tillë.
“Mbështetja e perëndimit për “Ballkanin e Hapur” është më shumë nga motivi që të mos i dilet kundër idesë, sesa të përkrahet projekti i tillë. Nuk duan të kundërshtojnë idenë por nuk është se aktivisht po marrin pjesë në projektin e tillë. Tri shtetet që po marrin pjesë në iniciativën e “Ballkanin e Hapur” vetëm një shtet ka mbështetjen edhe të presidentit edhe të kryeministrit, Serbia”, ka thënë Kurti.
Ndërkohë, duke folur për mospajtimet e Kosovës me Shqipërinë për “Ballkanin e Hapur”, Kurti ka thënë se marrëdhëniet mes Prishtinës e Tiranës janë më të mirat në Kosovës e pasluftës.
“Marrëdhëniet mes Prishtinës e Tiranës janë më të mirat në Kosovës e pasluftës, edhe mes dy kryeministrave. Ne kemi mospajtime edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës edhe brenda partive politike, nganjëherë kemi mospajtime edhe brenda kabineteve qeveritare, e lëre më mes dy kryeministrave. Me vetë faktin që përmendet kaq shumë ky mospajtim, kjo tregon se ka fare pak ose aspak mospajtime të tjera”, ka thënë Kurti.
Komisioneri për Zgjerimi BE-së, Olivér Várhelyi mbështeti nismën e Ballkanit të Hapur duke ftuar edhe tre vendet e tjera të rajonit që të bëhen pjesë e tij. Nga Samiti i Tiranës ku ishte pjesë online, zyrtari i lartë i Brukselit nxiti Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë për të ecur përpara duke hequr burokracitë mes vendeve.