Mbretëria e Bashkuar regjistroi shifër rekorde prej 189.213 rastesh me Covid-19 të enjten. Përpos infeksioneve, për 24 orë u regjistruan edhe 332 viktima.
Rekordi i ri erdhi vetëm një ditë pas rekordit tjetër të mërkurën me 183.037 raste. Besohet se kjo rritje po shkaktohet nga përhapja e variantit të ri e shumë ngjitës të koronavirusit, Omicron.
Përderisa qeveria ka thënë se Omicroni mund të jetë më i butë, ai është gjithashtu më ngjitës dhe rritja e numrit të rasteve ka shkaktuar pengesa të shumta. Kompanitë e trenave i kanë anuluar shërbimet për shkak të mungesës së stafit, ndërsa disa ndeshje të futbollit në Premier League janë anuluar.
Të dhënat tjera treguan se edhe numri i pacientëve me Covid-19 në Angli është rritur në 11.452. Kjo shifër është rritur për më shumë se 4.000 persona në javën e fundit, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.
Pavarësisht rritjes së numrit të rasteve, Kryeministri Boris Johnson ka thënë se nuk do të sjellë masa të reja kufizuese këtë vit në Angli për ta kufizuar përhapjen e variantit Omicron, që tani përbën 90 për qind të të gjitha infeksioneve në komunitet, sipas zyrtarëve shëndetësorë.