Franca, nga 1 janari, ka marrë kryesimin e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian që do të zgjasë deri në fund të muajit qershor. Një varg prioritetesh ka caktuar Franca si tema, me të cilat do të merret në gjysmën e parë të këtij viti para se t’ia dorëzojë Çekisë kryesimin e radhës për pjesën e dytë.
Pos temave që kanë të bëjnë me forcimin e autonomisë strategjike të BE-së, rritjes së kapaciteteve mbrojtëse, reformën e zonës së Shengenit, zbatimin e qëllimeve për mbrojtjen e mjedisit, energjinë e tema tjera, Franca ka paralajmëruar se një kujdes të veçantë do t’ia kushtojë edhe Ballkanit Perëndimor.
Gjatë Presidencës franceze të BE-së pritet edhe një konferencë kushtuar Ballkanit Perëndimor. Këtë e kishte paralajmëruar kohë më parë edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Burime diplomatike në BE kanë thënë se kjo konferencë nuk do të jetë ndonjë samit klasik BE-Ballkan, sepse një i tillë do të zhvillohet gjatë presidencës Çeke të BE-së në pjesën e dytë të vitit, por më shumë një “konferencë ku do të diskutohet disa problem specifike të rajonit”.
Ndër “problemet specifike” sipas diplomatëve, konsiderohen më së shumti kriza aktuale politike në Bosnje e Hercegovinë dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilat po zhvillohet dialogu në Bruksel i lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Gjatë Presidencës franceze të BE-së, sipas një diplomati të BE-së, pritet angazhim edhe për të zhbllokuar nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Nisja e këtyre negociatave ka mbetur peng i bllokimit ndaj Maqedonisë së Veriut që bën Bullgaria në Këshillin e BE-së dhe si pasojë disa shtete nuk duan që negociatat të nisin vetëm me Shqipërinë.
Pas zgjedhjeve të fundit dhe formimit të Qeverisë së re në Bullgari, diplomatët në BE janë optimistë se gjatë presidencës franceze do të mund të niseshin këto negociata, raporton REL
Diplomatët në BE nuk dinë se sa do të jetë Franca e përkushtuar për të avancuar përpara një çështje tjetër të rëndësishme, e ajo është liberalizimi i vizave për Kosovën. Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm i rajonit, për të cilin nuk ka liberalizim vizash.
Ka qenë pikërisht Franca ajo e cila deri më tash më së shumti e ka kundërshtuar vendimin në Këshill për liberalizimin e vizave shkruan REL në shkrimin me titull: “Ballkani Perëndimor, në fokus të BE-së gjatë kryesimit të Francës”.