Ylli portugez, Cristiano Ronaldo, thotë se nuk është e pranueshme për të që Manchester Unitedi të synojë më pak se një prej tri pozitave të para në Premier League, dhe paralajmëroi se ai nuk është kthyer në klub për të luftuar për vendin e shtatë në tabelë.
Sulmuesi 36-vjeçar u transferua në “Old Trafford” në fillim të këtij edicioni nga Juventusi dhe me ekipin anglez firmosi kontratë dyvjeçare me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Unitedi këtë edicion ka pasur një kampanjë zhgënjyese dhe e zëvendësoi Ole Gunnar Solskjaerin me trajnerin e përkohshëm, gjermanin Ralf Rangnick, në muajin dhjetor pas humbjeve të rënda ndaj Leicesterit, Liverpoolit dhe Watfordit.
Ndërsa Rangnick e ka mbajtur ekipin me katër fitore nga shtatë ndeshje dhe vetëm tre gola të pësuar, Unitedi mbetet i shtati në Premier League dhe ka 22 pikë më pak se Manchester City që është lider pas vetëm 19 ndeshjeve. Pika më e ulët e mandatit të shkurtër të gjermanit ishte padyshim humbja në shtëpi ndaj Wolverhamptonit më 3 janar, pas së cilës mbrojtësi Luke Shaw tha se nuk ndihej se ekipi ishte i bashkuar gjatë ndeshjes.
I pyetur nëse Unitedi mund të shpresojë ta shkrijë diferencën me rivalët e tij në top katërshe pa mentalitetin e duhur, Ronaldo tha: “E pamundur – mendoj se mentaliteti është pika kryesore. Nuk e pranoj që mentaliteti ynë të jetë më i vogël se të jemi në top treshen e Premier Leagues. Unë mendoj se për të ndërtuar gjëra të mira, ndonjëherë duhet të shkatërrosh disa gjëra. Pra pse jo – viti i ri, jeta e re dhe shpresoj që Manchester Unitedi të jetë në nivelin që duan tifozët. Ata e meritojnë këtë”.
Ronaldo ka insistuar se Manchester Unitedi ka forcën e duhur për t’i kthyer gjërat në favor të vetin dhe se sezonin ta mbyllë në pozitën që e synon portugezi. Ai dëshiron që edhe sezonin e ardhshëm të luajë në Ligën e Kampionëve. Sipas tij, Unitedi duhet prej ndeshjes së ardhshme të japë sinjale për të gjithë kundërshtarët.
“Ne jemi të aftë t’i ndryshojmë gjërat tani. Unë e di rrugën, por nuk do ta përmend këtu, sepse nuk mendoj se është etike nga ana ime ta them këtë. Ajo që mund të them është se ne mund të bëjmë më mirë – të gjithë ne. Manchester Unitedi u përket gjërave të rëndësishme, kështu që ne duhet ta ndryshojmë atë. Nuk dua të jem këtu për të qenë në vendin e gjashtë, apo të shtatë, apo të pestë. Unë jam këtu për të provuar të fitoj, për të konkurruar”, ka insistuar Ronaldo. “Unë mendoj se ne konkurrojmë, por nuk jemi ende në nivelin tonë më të mirë. Por ne kemi një rrugë të gjatë për t’u përmirësuar dhe besoj se nëse ndryshojmë qasje, mund të arrijmë gjëra të mëdha”.
Edhe pse Rangnick ka përmirësuar rezultatet e Unitedit, paraqitjet nuk kanë qenë joshëse, me skuadrën e tij që ka shënuar më shumë se një herë në një ndeshje në vetëm një rast. Kjo ka bërë që kritikët të insistojnë se Unitedi nuk ka identitet, por Ronaldo u ka kërkuar të gjithëve që dyshojnë te Rangnicku që t’i japin atij vetëm pak kohë për t’i zbatuar idetë e tij në “Old Trafford”.
“Qëkur mbërriti pesë javë më parë, ai ndryshoi shumë gjëra. Por atij i duhet kohë për t’ua përcjellë idetë e tij lojtarëve. Duhet kohë, por besoj se ai do të bëjë një punë të mirë. Ne e dimë se nuk po luajmë futbollin më të mirë, por kemi shumë ndeshje për t’u përmirësuar”, ka shtuar sulmuesi portugez. “Qëkur ai erdhi, mendoj se në disa pika jemi më mirë, por atij i duhet kohë. Nuk është aq e lehtë të ndryshosh mentalitetin e lojtarëve dhe mënyrën se si ata luajnë. Besoj se ai do ta bëjë këtë”.
Por, ndërsa Ronaldo është i sigurt në aftësinë e Rangnickut për të përmirësuar rezultatet e Unitedit, ai shprehu simpatinë për Solskjaerin – me të cilin luajti gjatë periudhës së tij të parë si lojtar i Unitedit – dhe pranoi se largimi i ish-shefit të tij ishte “i vështirë”. Ai pranoi se muajt e fundit nuk ishin aspak të lehtë për të.
“Nuk ka qenë lehtë për të qenë i sinqertë. Ne ndryshuam Solskjaerin, pastaj Carrickun dhe tani kemi trajnerin e ri. Është e vështirë kur ndryshon kaq shumë. Është gjithmonë e trishtuar dhe e vështirë. Ole luante me mua më parë dhe tani ai ishte trajner. Një person fantastik. Kur u largua të gjithë ishin të trishtuar, por është pjesë e futbollit”, shtoi Ronaldo. “Kur gjërat nuk shkojnë ashtu siç dëshiron klubi, atëherë bëhen ndryshimet. Unë u zhgënjeva, por ne duhet ta kuptojmë klubin. Ishte e vështirë, por jeta vazhdon. Por unë ende besoj se ne jemi të aftë për të bërë një sezon të mirë. Ne e dimë se do të duhet kohë për të bërë idetë e trajnerit të ri në fushë. Por unë po shoh përpara. Duhet të punojmë shumë, duhet të jemi bashkë si lojtarë. E dimë që nuk jemi në momentin më të mirë, por besoj se duke punuar shumë mund të arrijmë gjëra të rëndësishme, edhe këtë vit”.
Deri më tani, Ronaldo ka shënuar 14 gola dhe ka bërë tre asistime në 21 paraqitje për Unitedin në të gjitha garat. / Sky Sports