Me deklaratat në të cilat propozon ngritjen e murit në kufijtë me Kosovën dhe Shqipërinë, lideri i Lëvizjes për Ndryshime në Mal të Zi, Nebojsha Medojeviq, i ka përulur më së tepërmi ato parti shqiptare dhe një pjesë të shqiptarëve, të cilët dikur e kanë përkrahur politikën e tij, sidomos në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008.
Këtë, së bashku, e kanë vlerësuar anëtari i Këshillit kryesor të PDS, Nikollë Gegaj dhe kryetari i PD-së, Fatmir Gjeka, duke komentuar deklarata e Medojeviqit, se “kur të vijë në pushtet Fronti Demokratik (FD), do të ishte gatshëm për ngritjen e mureve ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës e Shqipërisë”, shkruan “Pobjeda”.
Anëtari i Këshillit kryesor të PDS-së dhe ish-deputeti, Nikollë Gegaj, ka deklaruar për këtë gazetë se qëndrimet e Medojeviqit janë shprehje të politikanit ekstremist të cilat nxisin urrejtjen ndërfetare dhe ndërshtetërore.
Kryetari i PD-së, Fatmir Gjeka, ish-kryetari i Komunës së Ulqinit, ka deklaruar se është i shokuar me qëndrimet e njërit nga liderët e FD-së.
Ndërkohë, Medojeviq ka sqaruar se muri me Kosovën dhe Shqipërinë nuk do të ngrihej as kundër popullit shqiptar e as kundër atij malazez.
“Muri nuk do të ndërtohej kundër shqiptarëve apo malazezëve, por kundër mafisë malazeze e shqiptare, e cila, me mbështetjen e regjimeve të korruptuara dhe kriminale në Podgoricë, Prishtinë e Tiranë, e ka kthyer këtë kufi në një ‘Eldorado’ për trafikim droge, të cigareve, armëve, armëve kimike e biologjike dhe për migrantë ilegalë”, ka thënë lideri opozitar, sipas deklaratës së publikuar në Facebook nga Fronti Demokratik, transmeton Koha.net.