Roli i rëndësishëm i raportuesit për Ballkanin Perëndimor në Bundestag i ka takuar politikanit të ri socialdemokrat Adis Ahmetoviq. Aspirata e tij kryesore, siç thotë, është të përdorë funksionin e tij për të stabilizuar rajonin.
“Nga fakti se familja ime vjen nga Bosnja dhe Hercegovina unë këtë e kam parë si një avantazh dhe si një lloj pasurimi”, tha në një intervistë për DW Adis Ahmetoviq, përfaqësuesi i ri i Partisë Socialdemokratike të Gjermanisë (SPD) në pushtet.
Ahmetoviq e mori postin e raportuesit të Bundestagut për Ballkanin Perëndimor nga politikani tjetër socialdemokrat, deputeti kroat Josip Juratoviq. Që nga hyrja e Adis Ahmetoviqit në Bundestag, këta dy socialdemokratë kanë bashkëpunuar ngushtë për çështjet që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor.
Aktiviteti i tij në Ballkanin Perëndimor
Nga mesi i nëntorit, Ahmetoviq dhe Juratoviq u takuan me anëtarin e presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Zhelko Komshiq në Shtutgart, disa javë pasi Ahmetovic u zgjodh në Bundestag me zgjedhje të drejtpërdrejta në zonën elektorale Hannover-Stadt I.
Qysh atëherë Ahmetoviq filloi të fliste në mënyrë kritike për rolin destabilizues të përfaqësuesve të Republikës Srpska.
“Është e qartë se marrëveshja e paqes e Dejtonit duhet të minohet nga pala serbe nga përfaqësuesi serb në presidencë, Milorad Dodik, duke vënë në pikëpyetje strukturën shtetërore”, tha Ahmetoviq në atë kohë, duke shprehur mendimin se veprime të tilla duhet të ndalen “përmes sanksioneve ndërkombëtare dhe forcimin e pranisë ushtarake ndërkombëtare në Bosnjë e Hercegovinë”.
Disa muaj më vonë, më 6 janar, pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Milorad Dodik dhe një pjesë të rrethit të tij, Ahmetoviq, tashmë anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Bundestagut, shprehu dëshirën që Gjermania të ndërmarrë hapa të ngjashëm.
“Sanksionet e SHBA-së janë një hap i domosdoshëm dhe korrekt të cilit duhet t’i bashkohet Gjermania. Ne duhet të veprojmë me vendosmëri kundër atyre që kryejnë korrupsion dhe destabilizim dhe sjellin përçarje në rajon, si dhe kundër atyre që e mundësojnë dhe e mbështesin atë”, tha Ahmetoviq.
Në fillim të dhjetorit, Ahmetoviq udhëtoi në Bosnje e Hercegovinë me Sekretarin e atëhershëm të Shtetit për Çështjet Evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tani Kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Bundestagut dhe homologun socialdemokrat Michael Roth.
Qëllimi kryesor: stabiliteti i rajonit
Josip Juratoviq ka kërkuar diçka të ngjashme për vite me radhë, duke u angazhuar që Gjermania të ndalojë bashkëpunimin me forcat autokratike dhe destabilizuese në rajon, sepse ajo sjell paqe vetëm në shikim të parë, por jo stabilitet afatgjatë.




