Deputetët e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi dhe Bledion Nallbati dolën sot në krah të banorëve tek 5 Maji, kundër prishjes pa kontratë të shtëpive të tyre.
Duke theksuar se kanë ardhur për të qenë krah qytetarëve, por edhe për të parë dokumentacionin për kallëzimet që do të bëjnë qytetarët, deputetja Çupi tha se “430 familje po hidhen në rrugë jo për interes publik, por për të pasuruar më shumë Edi Ramën dhe Erion Veliajn””.
“Është historia e pushtetit të Edi Ramës, e nisur nga 2013-a. Mashtro njerëzit për votë dhe prishu shtëpitë pas zgjedhjeve”, tha Çupi.
Sipas saj, PD është krah banorëve jo vetëm me praninë e deputetëve, por edhe me asistencë ligjore për të paditur në prokurori çdo institucion në shkelje të ligjit dhe që mohon të drejtat e 430 familjeve.
“Shqiptarët nuk njohin parti para shtëpisë së tyre, para jetës së tyre, para fëmijëve të tyre. Ne jemi në krah të qytetarëve sot dhe do të vazhdojmë të jemi për t’i ndihmuar për procedurat ligjore. Nuk kanë njoftim për prishjen e shtëpive, nuk kanë kontratë ku do të rrinë. Askush nuk thotë se ku do të jetojnë sot këta qytetarë që u kanë prishur shtëpitë ndërkohë. Kjo është një gjendje e jashtëzakonshme dhe e papranueshme”, tha Çupi./ATSh/