Mazhoranca ndez motorët për zgjedhjet e kreut të ri të shtetit që do të jetë në krye të Presidencës për 5 vitet e ardhshme.
Duke lënë të hapur mundësinë se në krye të shtetit shqiptar mund të kemi për herë të parë një zonjë, Rama tha se kriza në PD e bën të vështirë gjetjen e rrugës së dialogut me opozitën e ndaj duhen parë hapësirat për tu konsultuar me qytetarët.
Rama nuk përcaktoi kriteret, por nënvizoi se presidenti i ardhshëm duhet të jetë së pari njeri normal.
Edi Rama:
Në muajin prill na duhet të zgjedhim Presidentin e Republikës dhe do ta zgjedhë ky grup parlamentar në radhë të parë. Komplikimi i skajshëm i situatës me krijimin e dy PD-ve na e bën të vështirë të gjejmë adresën se ku të kërkojmë dialogun me opozitën parlamentare por në ndërkohë ne duhet të mendojmë për mënyrën sesi mund të këshillohemi me quytetarët edhe për këtë vendimmarrje.
Në një mënyrë apo tjetër duhet të gjejmë rrugën për të mbledhur opinionet e njerëzve lidhur me figurën e Presidentit apo Presidentes së re të Republikës. Pas një serie personazhesh që e kanë degraduar figurën e Presidentit në një prezencë minuse për institucionin e Kreut të Shtetit, për të thënë më të paktën, ne kemi përgjegjësinë e madhe qytetare, politike dhe kushtetuese që ti japim popullit shqiptar në krye të shtetit një njeri normal në radhë të parë, një kryerar dhe kryetare shteti që ti kthejë normalitetin njerëzor, moral dhe institucional zyrës së Presidentit të Republikës.
Nuk do të bjerë nga qielli, me siguri do të gjendet mes nesh, në territorin e Republikës së Shqipërisë apo territorin shpirtëror të kombit tonë se mund të jetë dhe jashtë Republikës së Shqipërisë por e kemi detyrim ti japim asaj zyre mundësinë që për 5 vitet ardhshme të ketë një njeri normal, një qytetar normal, një figurë moralisht dhe profesionalisht normale./Oranews/