Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha sot se sulmet e Sali Berishës kundër demokratëve janë të padenja, por fatmirësisht, të padëmshme, duke theksuar se Agron Kapllanaj ka zgjedhur PD-në dhe demokratët, prandaj sulmohet paturpësisht nga Sali Berisha.
Në një reagim, Bardhi tha se “ato mbeten mashtrime të një politikani me karrierë të mbaruar dhe të mbyllur me turp”, duke shtuar se Agron Kapllanaj është një nga demokratët më të votuar dhe më të respektuar në zonën e Fierit.
“Asnjë mashtrim i Sali Berishës nuk e ndryshon dot faktin se demokratët kanë zgjedhur të ardhmen, jo hallin e tij personal. Demokratët po e braktisin dita ditës. Se me kë po i ndërton pallatet Edi Rama dhe Erion Veliaj tek 5 Maji, Sali Berisha duhet të pyesë familjarët e tij. Kush është miku trafikant droge në Spanjë që në kundërshtim me ligjin ka fituar tenderin e rindërtimit nga Erjon Veliaj? Pse e fsheh Sali Berisha me mashtrime?”, nënvizoi Bardhi.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së tha se “e vërteta që do të dalë shumë shpejt është aq e dukshme, sa shpifjet e Sali Berishës nuk e mbulojnë dot”.