Pas dy viteve në detyrë e pazgjedhur, Voltana Ademi pret që pas zgjedhjeve të 6 Marsit Bashkinë t’ia dorëzojë një demokrati mbështetës të Sali Berishës. Vetë ajo thotë se do t’i kthehet profesionit por do të vazhdojë aktivitetin politik në mbështetje të ish-kryeministrit, pasi Lulzim Bashën nuk e njeh më.
Voltana Ademi për gati dy vite ishte kryebashkiakja e vetme demokrate mes 60 të majtëve pasi socialisti Valdrin Pjetri fitues në votimet e 30 qershorit 2019 nuk e mori mandatin për shkak se gënjeu për dekriminalizimin.
Kur Sali Berisha e Lulzim Basha u ndanë ajo zgjodhi të qëndrojë në krah të -ish kryeministrit.
“Mendoj që në krizë është zoti Lulzim Basha dhe mendoj që ky leksioni që japim përditë e çon atë edhe më keq. Unë nuk e njoh Lulzim Bashën, nuk e di kush është,” tha Ademi.
Vendosi të mos i nënshtrohet votës në procesin e primareve të thirrur nga komisioni I Rithemelimit të PD për të zgjedhur kandidatin në garën e 6 Marsit për Shkodrën.
Thotë se tani do t’i rikthehet profesionit, por do të vazhdojë të japë kontributin politik në mbështetje të nismave të ish-kryeministrit Sali Berisha.
“Asaj që di të bëj më mirë, profesionit tim, por nga ana tjetër edhe në funksion të aktivizimit tim politik i cili do ët vazhdojë të jetë në të njëjtën masë dhe në të njëjtën fuqi sa ka qenë më parë,” tha Ademi.
Beson se nga Primaret do të dalë fitues kandidati që do ta mbajë bashkinë nën drejtimin e demokratëve edhe pse këta të fundit do të kenë dy kandidatë në fletën e votimit.
“Ne do fitojmë bashkinë e Shkodrës,” shtoi ajo.
Procesin e primareve e cilëson të vonuar, por beson se do të sjellë ndryshim dhe demokratizimin e politikës.
“Procesi politik që po bëjmë sot është pjesa më e rëndësishme e një procesi të demokratizimit të PD mbi të gjitha në një funksion të vetëm për të shporrur një herë e mirë monopolizimin e shteti nga Edi Rama dhe Lulzim Basha,” shtoi Ademi.
Voltana Ademi drejton bashkinë e Shkodrës prej vitit 2015.




