Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të premten ka dhënë vendimin për ish-ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Saimir Tahirin.
Gjykata la në fuqi vendimin e shkallës parë, me ndryshimin që Tahiri do të vuajë në burg dënimin me pesë vjet heqje lirie. Për shkak të uljes së dënimit, Tahiri do të kalojë në burg tre vjet e katër muaj. Ish-ministri në bazë të procedurës, vuajtjen e dënimit duhet ta nisë menjëherë në një burg të sigurisë së zakonshme, i cili do të jetë burgu “313” në Tiranë.
Në njoftimin zyrtar të GJKKO për njohjen e vendimit thuhet se “vuajtja e dënimit me burgim për të pandehurin Saimir Tahiri fillon nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme”.
Sipas gjykatës, Tahiri me veprimet dhe mos veprimet e tij ka ndikuar në përhapjen e fenomenit të kultivimit të kanabisit në kohën sa ishte ministër në periudhën 2013-2017. Ai akuzohej për veprën penale “Shpërdorim të detyrës”.
Tahiri ishte i pranishëm në sallë gjatë gjykimit. Gjyqtari tha se Tahiri ka përfituar favore nga grupi i Habilaj, dhurata, udhëtime me jahte, siç ka këmbëngulur SPAK, e cila kishte kërkuar 12 vite burg për trafik droge dhe grup kriminal, por sipas gjykatës vetëm akuza e shpërdorimit të detyrës qëndron.
Saimir Tahiri ndërkohë nuk dha asnjë koment. Ai qëndroi në gjykatë në prani të avokatit të tij, kurse në hollin e gjykatës e pret policia për t’i komunikuar arrestimin e për t’i vënë prangat.
Ky është fundi i një çështje që u zvarrit prej pesë vjetësh në shumë shkalla juridike.




