Prej gjërave për të cilat duhet të shqetësohen garueset kur fluturojnë më shumë se 90 metra nga një kërcimore e skive prej 114 metrash dhe me 95 kilometra në orë, është edhe kostumi që e mbajnë veshur. Rëndësinë e kostumit e mësuan disa garuese në lojërat olimpike dimërore “Pekini 2022”. Ato të martën mbetën të zhgënjyera. E kuptuan se kostumi që e veshin në garat e kërcimit me ski është po aq i rëndësishëm sa vendi ku zbarkojnë.
Pesë garuese të kërcimit me ski u diskualifikuan nga gara e kërcimit në ngjarjen ekipore të përzier. Të gjitha skitaret e diskualifikuara, që përfaqësojnë Austrinë, Japoninë, Norvegjinë e Gjermaninë, mendohet se mbanin kostume më të lirshme që mund t’iu kishin dhënë atyre përparësi derisa fluturonin në ajër.
Kostumet pa dyshim se kanë një rëndësi të veçantë për kërcyesit me ski. Një kostum me material shtesë në vendet e duhura mund të “kapë” erën dhe ta mbajë garuesin në ajër për periudhë më të gjatë. Problemi i skitareve të martën ishte se kostumet e tyre ishin pranuar në kërcimet e mëparshme dhe ato kanë mbetur tejet të zhgënjyera me veprimin e Federatës Ndërkombëtare të Skijimit (FIS). Madje, sipas tyre, FIS-i e ka shkatërruar këtë disiplinë me vendimin që ka marrë.
“Federata Ndërkombëtare e Skijimit ka shkatërruar gjithçka me këtë operacion. Personalisht mendoj se e kanë shkatërruar kërcimin me ski në konkurrencën e femrave”, ka thënë gjermania Katharina Althaus, që në Pekin është paraqitur për herën e tretë në Lojërat Olimpike Dimërore dhe në vitin 2018 kishte fituar medaljen e argjendtë. “Jam kontrolluar shumë herë gjatë 11 vjetëve në këtë sport dhe kurrë nuk jam diskualifikuar, as një herë të vetme në karrierë. E di shumë mirë se kostumi im ishte në përputhje më të gjitha rregullat”.
Althaus nuk u durua dhe më vonë e ndau zhgënjimin e saj edhe në Instagram. “160 starte të Kupës së Botës, 5 herë në Kampionate Botërore, 3 herë në Lojëra Olimpike dhe për herë të parë u diskualifikova. Zemra ime është thyer”.
Alhaus ka fituar medaljen e bronztë të dielën në kërcimet individuale me ski. Ndërkohë ka reaguar edhe garuesi i Gjermanisë në këtë disiplinë, Karl Geiger, që është habitur me diskualifikimin e garueseve.
“Ne qëndrojmë së bashku pa marrë parasysh çfarë!”, ka shkruar Geiger. “Megjithatë, më duhet të pyes veten nëse rregulloret për femra janë ndryshuar brenda natës, me kaq shumë diskualifikime?!? Nuk ishte as koha e duhur dhe as vendi i duhur për të diskualifikuar kaq shumë sportistë nga shtete të ndryshme”.
I habitur ka mbetur edhe trajneri gjerman Stefan Horngacher.
“Është e çuditshme që ato kanë përdorur të njëjtat kostume dje dhe nuk ka pasur asnjë problem. Është e bezdisshme që kjo ndodh në Lojërat Olimpike Dimërore”.
Reagimi nuk ka munguar as nga Norvegjia, me shefin e sportit të kërcimit me ski që ka thënë se kjo ishte dita më e keqe për këtë disiplinë.
“Më vjen keq në emër të kërcimeve me ski”, tha Clas Brede Braathen. “Kjo është diçka që duhet ta kishim rregulluar përpara Olimpiadës. Sporti i kërcimit me ski ka përjetuar një nga ditët më të errëta sot”.
Ai vuri në dukje se diskualifikimi i bërë kërcënon të zhbëjë të gjithë hapat e fundit. Kërcimi me ski nuk ka shumë yje në konkurrencën e femrave.
“Unë nuk kam fjalë, me të vërtetë”, shtoi Braathen. “Kjo është shumë e dhimbshme për sportistet. Unë kam dhimbje në emër të sportit tonë. Ne do të prezantonim një ngjarje të re dhe nuk kishte nevojë që të diskualifikoheshin”.
Femrave u është dashur të luftojnë me dekada për të shtuar kërcimin me ski në Lojërat Olimpike. Zyrtarët evropianë të sportit u rezistuan përpjekjeve për t’i lejuar femrat të kërcejnë, duke përdorur argumente të ndryshme. Megjithatë, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) më në fund pranoi kërcimin me ski për femra në Lojërat Olimpike në vitin 2014. Carina Vogt e Gjermanisë fluturoi 103 metra dhe fitoi medaljen e artë atë vit. IOC-ja lejoi kërcimin e ekipeve të përziera që të bashkohet me programin olimpik këtë vit.
Sa i përket vetë garës, Sllovenia fitoi me 1001.5 pikë, duke lënë pas vetes Rusinë (890 pikë) dhe Kanadanë (844.6). Fituesit kishin pak simpati për garueset e diskualifikuara.
“Pajisjet janë shumë të rëndësishme në sport dhe diskualifikimet ndodhin”, tha Abigail Strate e Kanadasë. “Është një gjë shumë e zakonshme të ndodhë në kërcimin me ski dhe fakti që ndodhi në Lojërat Olimpike thjesht tregon se rregullat po trajtohen në mënyrë serioze. Është niveli më i lartë i sportit”.
E pyetur nëse medalja e saj ishte e hidhur për shkak të diskualifikimeve që ndodhën, Strate nuk hezitoi të përgjigjej.
“Unë nuk mendoj se kjo është një medalje e hidhur fare. Unë mendoj se është shumë e ëmbël për shkak se është medalje e Olimpiadës”.
Ndërkohë, Peter Prevc i Sllovenisë shtoi: “Edhe nëse numëroni të gjitha distancat dhe gjykoni pikët e atyre që nuk kishin fat, ne sërish jemi të parët. Kështu që është e mrekullueshme që e fituam medaljen e artë”.