Qendra Evropiane për Lirinë e Medias bashkë me disa organizata rajonale e ndërkombëtare i kanë shkruar letër presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrit Albin Kurti, duke u bërë thirrje që gjuha diskredituese dhe denigruese ndaj gazetarëve të ndalet menjëherë.
Reagimi thekson se gjuha e tillë ndaj gazetarëve po organizohet nga zyrtarë të lidhur me Lëvizjen Vetëvendosje, Zyrën e Presidencës dhe institucione të tjera të nivelit të lartë.
Këto organizata kanë thënë se janë shqetësuar nga mesazhet që zëdhënësit e Qeverisë dhe të VV-së kanë bërë në Facebook, duke përfshirë reagimet se mediat janë përpjekur të minojnë presidenten përmes raportimit të tyre. Shqetësim kanë shprehur edhe për reagimin e bashkëshortit të presidentes, Prindon Sadriu, që i quajti mediat “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.
Sipas organizatave reaguese, komentet kanë bërë që përkrahësit e VV-së të shfrytëzojnë rrjetet sociale për t’i abuzuar gazetarët e aktivistët e caktuar. Për reagimin e Sadriut, ato kanë thënë se kanë frikë që komente të tilla mund të ndikojnë edhe në sigurinë fizike të gazetarëve pasi po kontribuohet në një klimë armiqësore.
Disa media ditë më parë në një artikull kishin përfshirë edhe një fjali, që u tha se ishte komunikim i brendshëm, e në të cilin komunikim shkruhej “mundesh me hjek krejt, veç që don m’i qepu Vjoses”. Lajmi ishte fshirë e mediat kishin kërkuar falje, ndërsa edhe Asociacioni i Gazetarëve kërkoi respektim të Kodit të Etikës.
“Gjithsesi, ne vlerësojmë se përgjigja ndaj këtyre gabimeve nga zyrtarë të caktuar qeveritarë dhe partiakë ishte e papërshtatshme dhe ka shpirë në armiqësi të pajustifikueshme kundër mediave”, thuhet në reagim.
“Për më shumë, përdorimi i gjuhës diskredituese përshtatet në një kontekst më të gjerë problematik e në të cilin individët e lidhur me Vetëvendosjen përpiqen të minojnë besimin e publikut në media. Jemi të shqetësuar se kjo strategji e nxitjes së publikut kundër mediave dhe aktivistëve është e rrezikshme për sigurinë fizike të gazetarëve”, thuhet ndër tjerash në letrën drejtuar krerëve të shtetit, që thekson tutje se me këso reagime minohen edhe vlerat demokratike.
Organizatat nënshkruese janë Qendra Evropiane për Lirinë e Medias, Federata Evropiane e Gazetarëve, Indeksi mbi censurën, Instituti Ndërkombëtar i Shtypit, Rrjeti i SafeJournalists që përfshinë asociacionet e gazetarëve të Kosovës, Maqedonisë, Bosnjes, Kroacisë, Serbisë dhe Malit të Zi dhe Fondacioni Daphne Caruana Galizia.