Muajt e fundit është vërejtur një rritje e theksuar e çmimeve për produktet bazë për konsum në Kosovës.
Ngritjen e këtyre çmimeve e ka konfirmuar edhe Agjencia e Statistikave (ASK), duke shtuar se Indeksi i tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur kryesisht te produktet e bukës, mishit, vajit ushqimor dhe energjisë elektrike brenda një viti.
Inflacioni mujor i matur nga IHÇK gjatë muajit janar 2022 ishte 0.9 për qind, shkruan Telegrafi.
“IHÇK është më i lartë në një mesatare prej 0.9 për qind në muajin janar 2022, krahasuar me muajin dhjetor 2021. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të bukës dhe drithërave me 1.2 për qind, mishi me 1.3 për qind, qumështi, djathi dhe vezët me 1.5 për qind, vajrat dhe yndyrat ushqimore me 1.7 për qind, perimet me 6.3 për qind, uji, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet me 0.6 për qind, duhani me 1.2 për qind, furnizimi me ujë dhe shërbime të ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin me 1.4 për qind, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake me 1.4 për qind, karburantet dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 2 për qind, shërbimet për transport me 2.3 për qind, shërbimet hoteliere me 1.4 për qind dhe kujdesi personal me 2.7 për qind”, thuhet në raportin “Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK), janar 2022”, prezantuar nga ASK.
Sipas Agjencisë së Statistikave, norma vjetore e inflacionit e matur në muajin janar me vitin paraprak ishte 7.1 për qind.
“Indeksi i tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është më i lartë në një mesatare prej 7.1 për qind në muajin janar 2022, krahasuar me muajin janar 2021. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të bukës dhe drithërave me 14.9 për qind, mishi me 7.6 për qind, qumështi, djathi dhe vezët me 9 për qind, vajrat dhe yndyrat ushqimore me 33.7 për qind, perimet me 11.7 për qind, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsira me 9.2 për qind, kafja, çaji dhe kakao me 10.8 për qind, uji, pijet joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet me 2.7 për qind, duhani me 6.2 për qind, energjia elektrike me 12.3 për qind (ngritja e çmimit të energjisë elektrike është për shkak se në periudhën janar – maj 2021 ishte për 0.0061 centë më e lirë sipas Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike kundër COVID -19”, thekson raporti.
“Gazi me 19.8 për qind, lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri me 12.7 për qind, pajisje shtëpiake me 5.6 për qind, mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake me 2.7 për qind, produkte farmaceutike me 4.4 për qind, blerjet e automjeteve me 5.9 për qind, karburantet dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 24.5 për qind, shërbimet e tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit me 9.9 për qind dhe shërbimet financiare me 3.4 për qind”, vijon ASK-ja.
Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te pemët me 5.8 për qind dhe veshjet me 1.8 për qind, me një ndikim prej minus 0.2 për qind në IHÇK.