Shefi i shtabit të LDK-së, Lutfi Haziri, ka komentuar shkurt deklarimet e liderit të PDK-së, Kadri Veselit, se në mandatin e ardhshëm nëse zgjidhet kryeministër do të luftojë korrupsionin dhe nepotizmin.
Haziri në Klan Kosova ka thënë shkurtimisht tha që këpucët e ish-udhëheqësit të PDK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit nuk po i përshtaten dhe deklarimet e tilla të tij vështirë se i besojnë qytetarët.
”Këpucët e Thaçit po i rrijnë ngushtë bedelit [Veselit]”, shtoi ai.
”Nuk është me rëndësi çka thua, por me rëndësi është ajo çfarë besohet. Besimi qytetar karshi këtyre hapave politikë është përtej të priturës”, ka thënë Haziri.
Haziri po ashtu ka thënë se Vetëvendosje është parti e lindur nga rruga, pasi historiku i saj njihet nga protestat dhe ka shtuar se është përballur vazhdimisht me politikën e Vetëvendosjes, andaj edhe është më mirë që LDK të hyjë e vetme në zgjedhje.
”Unë jam prej atyre që në konkurrencën politike, edhe si deputet, edhe si kryetar i komunës, jam përballur drejtpërdrejt me njëfar politike me Vetëvendosjen. Historiku i ndërtimit të Vetëvendosjes është historik i protestës. Ajo nuk ka lindur nga një zyre partish, Vetëvendosje ka lindur në rrugë”, tha ai.
Ai tha se edhe historiku i bashkëpunimit me PDK-në ka qenë i rëndë pas luftës, pasi siç tha ai PDK ka ardhur si pjesë e demobilizimit të UÇK-së.