Elisaveta Biba jeton prej 12 vitesh në Tiranë, ku ka krijuar familje me një bashkëshort shqiptar dhe është nënë e 2 vajzave. Me profesion mësuese anglishteje, ajo është nga Moska dhe mahnit me gjuhën shqipe që flet. Në “E Ardhmja Është vajzë”, ajo tregon sesi e gjeti dashurinë e saj në vendin tonë.
Dhe gjithçka nis me pyetjen e shoqëruar me të qeshura në studio: Po ku e gjete shqiptarin moj vajzë?
“Në Moskë kam pasur një shoqe shqiptare, e cila gjatë 2 viteve po bënte master të gjuhës ruse në Moske, shkollë e lartë. Dhe po mësoja nga pak për Shqipërinë, për kulturën. Pas një viti ajo u fejua. Viti i dytë që po mbaronte masterin me fton në dasmë. Me shumë kuriozitet, me dëshirë për të parë vende të reja, thashë patjetër do vij, duhet të jetë diçka ekzotike ajo dasma shqiptare.
Bashkëshortin tim e kam takuar pikërisht tek dasma e shoqes. Aty u njohëm. Në kulturën ruse çunat nuk kërcejnë shumë të jem e sinqertë. Kurse në dasmat shqiptare gjithë ata çunat që kërcejnë, kërcejnë me shumë energji, pasion dhe bashkëshorti im ishte një nga ata me shoqërinë e nuses. Më ka bërë shumë përshtypje.
Ai gjithashtu ka qenë shoferi që na çonte ne në vende se dasma u bë njëra nga Kuç të Vlorës dhe dasma e dytë ishte në Rajcë. Dhe ai ishte si një guidë për mua… Unë si shoqja e nuses isha përpara, ku ishte Geri, bashkëshorti im i ardhshëm. E ndjeva që kisha një guidë, një mik, një person që më bën këtë udhëtim shumë ëmbël, shumë ndryshe….”
Kimi që në momentin e parë… Por si vijoi historia?
“Pastaj u ndamë, mbaroi dasma. Por ishim lidhur me teknologji, WhatsApp, Skype dhe planifikuam takimin e parë në Kroaci, si gjysma e rrugës. Nga Shqipëria dhe Rusia, Kroacia ishte ajo pika, vendosëm të takoheshim atje. Ishte gjithashtu viti i ri dhe aty filluam të flisnim për planet, për dëshirat për ndjenjat patjetër. Në Gusht erdhi ai në Moskë për të propozuar.
U takua me mamin, vëllain, motrën time. Nuk kemi marrë shumë kohë, ishim të vendosur, ishim të dashuruar dhe unë isha shumë e hapur për të parë mundësi të jetës këtu. Dhe unë si Lizë me energji, me pasion e ndjej veten shumë fleksibël, mund të përshtatem me vendet e reja. Isha shumë e frymëzuar për të nisur familjen, jetën e re me Gerin këtu në Shqipëri”.