Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, mëngjesin e sotëm deklaroi se i mbetet besnik idesë dhe përkushtimit që vendi të qeveriset nga partitë e deritanishme opozitare, LDK dhe Vetëvendosje. Pasi sipas tij, në situatën aktuale kjo konsiderohet si zgjidhja më e mirë.
Por, Mustafa ka kërkuar respekt reciprok dhe partitë të mos ndërhyjnë në punën e njëra-tjetrës.
“Sikurse LDK, ashtu edhe Lëvizja Vetëvendosje ka specifikat e veta. Ka njerëzit me të cilët llogarit fitoren dhe qeverisjen. Kanë ambientin e brendshëm, që dallon. Nuk i jap të drejtë LDK-së të përzihet se kush nga VV duhet të jetë kryeministër i vendit. Por, nuk i jap të drejtë as VV të na caktojë sesi LDK duhet të vendosë për kryeministrin dhe për njerëzit e fushatës. Bashkëpunimin e konsideroj proces të respektit reciprok. Kam gëlltitur të kaluarën, sepse e kam vlerësuar më lart interesin e vendit sesa vetveten”, tha Mustafa.
Ai deklaroi se janë shprehur pozitivisht për koalicion me VV në interes të forcimit të shtetit dhe dekriminalizimit të vendit. Siaps tij, ata e kërkojnë kryeministrin jo se e nënvlerësojmë Kurtin, por se e vlerësojnë Osmanin.
“LDK nuk e kërkon kryeministrin sepse nënvlerëson z. Albin Kurti dhe meritat e tij. Por se vlerëson znj. Osmani dhe kërkesat e anëtarësisë. Vlerëson kompetencën e LDK-së, ekipin e saj, për qeverisje të mirë e pa korrupsion. Kjo është arsyeja e kërkesës tonë për kryeministër”, vijoi Mustafa.
Megjithatë, Mustafa thotë nëse të dy palët mendojnë se ato e meritojnë kryeministrin, nuk duhet të hapin front mes vete pasi kjo nuk është mënyrë për të fituar vota.
“Në qoftë se jemi të bindur se edhe njërës edhe tjetrës palë i takon kryeministri, kjo nuk do të thotë se duhet të hapim frontin ndërmjet veti. Kemi plot gjëra të mira që mund t’ia adresojë njëra palë tjetrës për bashkëpunimin tonë, por kemi edhe të këqija. Kjo nuk është mënyrë që ne të tentojmë të fitojmë vota. Më shumë preferoj të ndërtojmë front të përbashkët, para ose pas-zgjedhor, për t’ua pamundësuar PAN-ave dhe përkrahësve të tyre vazhdimin e shkatërrimi të shtetit”, përfundoi Mustafa.