Vazhdon të jetë e rëndë situata në juglindje të vendit përsa i përket furnizimit me energji elektrike. Situata vazhdon të jetë e rëndë në qytetin dhe gjitha fshatrat e bashkisë së Bilishtit, atje ku prej dy ditësh mungon energjia elektrike. Zyrtarisht, nga ana e OSHEE-së bëhet me dije se pa energji elektrike janë 35 fshatra të njësive administrative Gorë e Moglicë, ashtu siç janë pa energji fshatrat e njësisë administrative Dardhas.
Ndërkohë që prej dy ditësh kanë pasur probleme edhe fshatra të njësive Trebinjë, Velçan, Çerravë e Proptisht në Pogradec. Pa energji elektrike janë fshatrat të njësive Vreshtas, Pojan e Pirg në bashkinë e Maliqit.
E gjithë kjo sipas të njëjtave burime ka ardhur për shkak të rrëzimit të shtyllave të tensionit të mesëm dhe tensionit të ulët në fushën e Maliqit dhe atë të Devollit, për shkak të erës së fortë.
Grupe të shumta të OSHEE-së, janë në terren për të eliminuar defektet e shkaktuara nga reshjet e borës shoqëruar me erë të fortë. Në Bilisht, ndodhet një grup pune i specializuar nga nënstacioni i Elbasanit që po merret me riparimin e defekteve në shtyllat e tensionit të lartë, duke bërë gjithçka për të rikthyer energjinë elektrike në qytetin e Bilishtit dhe fshatrat e bashkisë Devoll.
Shtylla të rrëzuara dhe linja të këputura ka pasur pothuajse në të gjitha fshatrat e njësive administrative malore, atje ku trashësia e borës ka shkuar deri në 50 cm. Në këto zona, raportohet edhe për izolimin e shumë fshatrave.