Disa prej kompanive më të njohura amerikane si Apple, Google, Ford, Harley-Davidson dhe Exxon Mobil por edhe marka të tjera botërore, ndërpresin përkohësisht bashkëpunimin me kompanitë ruse, duke dënuar ashpër invazionin në Ukrainë.
E para ishte kompania Apple që tha se ka pezulluar shitjet e telefonave iPhone dhe produkteve të saj të tjera në Rusi, duke shtuar se ka ndryshuar edhe aplikacionin e saj të hartës, për të mbrojtur civilët në Ukrainë. Ata që shkojnë në versionin rus të Apple Store në internet shohin formulimin “aktualisht nuk disponohet” në të gjitha produktet.
Edhe Google ka përjashtuar botuesit shtetërore rusë nga çdo lajm i saj ndërsa Ford Motor tha se zyrtarisht ka ndërprerë çdo marrëdhënie me prodhuesit e saj rusë.
Të njëjtat vendime morën edhe Harley Davidson, Exxon Mobil, duke iu bashkuar hapave të ndërmarrë më herët nga gjigandët britanikë të energjisë Shell dhe British Petroleum.
E fundit që ndërpreu marrëdhëniet ishte kompania Boeing, që pezulloi shërbimet për mirëmbajtje dhe suportin tenik për linjat ajrore në Moskë dhe përkohësisht, për shkak të konfliktit ushtarak, mbylli edhe zyrën në Kiev.