Nga Daniel Gros
“Project Syndicate”
Lufta përfaqëson një garë vullnetesh, tha rreth 200 vjet më parë strategu gjerman Carl von Clausewitz. Në këtë pikë, ukrainasit që po e mbrojnë me shumë guxim atdheun e tyre, duket se kanë një avantazh të dukshëm ndaj forcave pushtuese ruse. Por që të fitohet një luftë, vullneti duhet të mbështetet me mjete ushtarake, dhe kjo kërkon nga prapa një fuqi industriale dhe ekonomike. Në këtë aspekt, Rusia mund të ketë për momentin një avantazh ndaj Ukrainës. Gjithsesi Moska është shumë më e dobët sesaPerëndimi, të cilin synon ta sfidojë në fund.
Sa i përket fuqisë ekonomike dhe asaj industriale, Rusia është në rastin më të mirë një fuqi e mesme. Prodhimi i Brendshëm Bruto i Rusisë është vetëm gjysma e atij të Gjermanisë, dhe PBB-ja ruse është afërsisht e njëjtë me atë të Italisë. PBB-ja e përbashkët e Bashkimit Evropian është gati 10 herë më e madhe se ajo e Rusisë. Dhe kjo përpara se raundi i ri i sanksioneve ndëshkuese perëndimore të nisë të ketë ndikimin e tij.
Duke pasur parasysh ekonominë e saj të madhe, Evropa mund ta përballojë ndërtimin e aftësive të besueshme të mbrojtjes së vet. Që vendet evropiane të përmbushin angazhimin e tyre ndaj NATO-s për të shpenzuar çdo vit 2 për qind të PBB-së në vit për mbrojtjen, ato duhet të rrisin mesatarisht shpenzimet me vetëm 0.5 për qind të PBB-së.
Nëse merret parasysh fakti se shpenzimet totale të qeverisë në këto vende janë aktualisht mesatarisht 45 për qind të PBB-së, kjo duket krejtësisht e realizueshme. Edhe për Gjermaninë që ndër vite ka mbetur prapa këtij angazhimi, investimi në pak vite prej 100 miliardë eurosh përfaqëson vetëm rreth 2.5 për qind të PBB-së.
Ndërkohë Rusia harxhon më shumë se 4 për qind të PBB-së së saj në mbrojtje, një barrë shumë e rëndësishme për një vend që duhet të mirëmbajë një infrastrukturë të kushtueshme për të lidhur territorin e vet shumë të madh. Ndërsa shpenzimet në mbrojtje përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të ekonomisë ruse, shuma në vetvete është mjaft modeste, sidomos krahasuar me standardet e “fuqive të mëdha”.
Rusia shpenzoi rreth 60 miliardë dollarë për mbrojtjen në vitin 2020, krahasuar me shpenzimet në masën 50 miliardë dollarë nga Gjermania. Në atë nivel shpenzimesh, dhe dukepasur parasysh korrupsionin e madh në qeverinë ruse, ndërtimi i një force të madhe luftarake moderne të aftë të përballojë një konflikt të gjatë në kohë, duke ruajtur një forcë të madhe bërthamore, dhe çuar përpara ambiciet si një fuqi e madhe në nivel global, do të ishte një arritje vërtet mbresëlënëse.
Por kjo është një arritje që Rusia nuk mund ta pretendojë. Në fakt, duket sikur Rusia ka pasur gjatë gjithë kohës një ushtri “potemkiane”. Termi “Potemkin” është marrë nga Grigory Aleksandrovich Potemkin, guvernatori i Rusisë së Re, që thuhet se ndërtoi vendbanime të rreme për t’i bërë përshtypje Katerinës së Madhe gjatë udhëtimit të saj të vitit 1787 për të inspektuar Krimenë e sapo–fituar me luftë dhe territoret përreth.
Por historia e “fshatrave Potemkiane”, është kryesisht një mit. Dhe historianët nuk bien dakord mbi atë që pa vërtet Caresha në turneun e saj. Duket se në realitet, “Potemkin” bëri investime të mëdha në infrastrukturë brenda dhe përreth Krimesë, por i mungonin burimet për të lidhur territorin e pushtuar rishtazi me pjesën tjetër të Rusisë.
Dobësitë në infrastrukturë, së bashku me dështimin për të ndërtuar aftësi logjistike, e penguan seriozisht aftësinë e Rusisë për t’u mbrojtur kundër forcave angleze dhe të tjerave evropiane gjatë Luftës së Krimesë 60 vjet më vonë. Raportet se trupat ruse në Ukrainë po përballen sotme mungesë ushqimi dhe karburanti,tregojnë se Rusia nuk ka mësuar aspak nga gabimet e saj të dikurshme.
Logjistika është gjithmonë zona më e ndjeshme ndaj korrupsionit në ushtri. Të kuptuarit si duhet e pasojave të mungesës së burimeve të ushtrisë ruse, kërkon që ne të analizojmë jo vetëm atë që ka ndodhur në Ukrainë, por gjithashtu – dhe ndoshta më e rëndësishmja – atë që nuk ka ndodhur.
Si fillim, Rusia ka dështuar të shkatërrojë komunikimet dhe sistemet e tjera të kontrollit elektronik. Prej kohësh ishte supozuar se Rusia do të mbështeste çdo sulm ushtarak me sulme kibernetike “shkatërruese”.
Por ky kërcënim nuk është materializuar, ndoshta sepse Ukraina ka mbështetjen e shërbimeve sekrete perëndimore, aftësitë e të cilave për luftë kibernetike bazohen në një grup shumë më të madh talentesh dhe njohurish nga kompanitë gjigante të teknologjisë amerikane.
Në fakt, vetëm pak orë para fillimit të pushtimit, kompania Microsoft zbuloi dhe bllokoi disa viruse, malware, që synonin fshirjen e të dhënave nga ministritë dhe institucionet financiare të qeverisë ukrainase. Më pas kompania e ndau kodin me vende të tjera evropiane, për të parandaluar përdorimin e mëtejshëm të tij.
Po kështu, SpaceX ka dërguar pajiset e internetit Starlink në Ukrainë, në mënyrë që të kompensojë ndërprerjet e internetit në vend. Funksionalizimi i sistemit satelitor në vend do të marrë kohë, pasi duhet të vendosen një numër i madh stacionesh bazë. Por kjo është një çështje javësh, jo vitesh.
Një tjetër dobësi e dukshme e Rusisë është forca e saj ajrore, e cila nuk ka vendosur dotkontrollin mbi hapësirën ajrore të Ukrainës, edhe pse Rusia ka gati 10 herë më shumë avionë sesa Ukraina. Është e vërtetë që Rusia lëshoi një mori raketash për të shkatërruar radarët dhe aerodromet që në ditën e parë të pushtimit.
Por sulmi i parë nuk u pasua nga një i dytë, pasi rezervat ruse të raketave që kanë një saktësi të madhe si dhe municionet e tjera të shtrenjta, janë të kufizuara. Për më tepër, pilotët rusë duket se kanë pak përvojë. Ndoshta sepse, si armët e drejtuara me saktësi, po ashtu edhe trajnimi efektiv i pilotëve është i kushtueshëm.
Së fundmi, sistemet thelbësore të shpërndarjes së armëve nuk janë të përditësuara. Putini mund të kishte hyrë në këtë luftë ose me një sasi të madhe raketash me saktësi të lartë ose me një rezervë të madhe rezervash valutore. Ai zgjodhi këtë të fundit. Dhe tani që gjysma e këtyre rezervave janë bllokuar nga sanksionet e pashembullta të vendosura nga Perëndimi, ai ndoshta mund të ndjejë keqardhje për vendimin që mori.
Duke pasur parasysh kapacitetin e kufizuar të Rusisë për të rritur me shpejtësi prodhimin e armëve – dhe veçanërisht prodhimin e sistemeve të sofistikuara të armëve, të cilat kërkojnë inpute që ai nuk mund t’i marrë më nga jashtë vendit- perspektivat e Putinit për të mbështetur luftën e tij në Ukrainë, duken shumë të kufizuara.
Në një luftë midis dy kundërshtarëve po aq të motivuar, është vendimtare forca e madhe ekonomike dhe industriale. Putin ka nisur një luftë duke u mbështetur mbi një bazë të dobët materiale. Për më tepër, ai e ka motivuar Evropën që të fillojë të investojë në mbrojtjen e saj.
Nga ana tjetër e ka vendosur Rusinë në kursin e një rënie ekonomike demoralizuese. Dhe, mbi të gjitha, ai i ka motivuar ukrainasit që të luftojnë ashpër për lirinë e tyre. Në rast se ukrainasit do të arrijnë të rezistojnë ndaj sulmit fillestar, vendosmëria e tyre, së bashku me mbështetjen potencialisht të pakufizuar të Perëndimit, mund ta kthejnë valën e luftës së Putinit, madje edhe regjimin e tij.
Shënim: Daniel Gros, anëtar i Qendrës për Studime të Politikave Evropiane.