“Kosova e ka kryer punën e saj sa i përket procesit të liberalizimit të vizave dhe tani i mbetet Bashkimit Evropian ta bëjë të njëjtën gjë”, ka deklaruar ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të enjten mbrëma.
“Për ne nuk është më në pikëpyetje dhe na duhet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Për këtë jemi duke punuar me tërë forcën tonë”, tha ajo.
Baerbock, po ashtu, tha se BE-ja është duke ua zgjatur dorën shteteve të rajonit në rrugën drejt bllokut evropian.
“Një ndër çështjet më të rëndësishme për këtë është forcimi i besimit në rajon. Para së gjithash nevojiten përparime në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Këto dy shtete duhet të gjejnë një zgjidhje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe atyre presidenciale të Serbisë, më 3 prill”, shtoi ajo.
Institucionet e Kosovës, ndryshe nga praktikat e mëparshme, kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë organizimin në Kosovë të zgjedhjeve të Serbisë.