Disa raunde bisedimesh të një pas njëshme mes Kievit dhe Moskës nuk kanë sjellë ende një zgjidhje të konfliktit të armatosur në Ukrainë.
Diplomatët rusë u shprehën entuziastë mbi ecurinë e negociatave duke thënë se janë në gjysmën e rrugës, por Kievi nuk mendon njësoj. Për mosarritjen e marrëveshjes, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov bën përgjegjëse SHBA që sipas tij po pengon Kievin.
“Ndihet vazhdimisht se delegacioni ukrainas po mbahet për dore, me shumë gjasa nga amerikanët, duke mos i lejuar ata të pajtohen me kërkesat që unë mendoj se janë absolutisht minimale”.
Por në krahun tjetër Presidenti Ukrainas Volodymir Zelensky akuzoi Moskën se po i vonon bisedimet e paqes duke kërkuar uljen menjëherë në një tryezë për të gjetur zgjidhje.
“Dua që të gjithë të më dëgjojnë tani, veçanërisht në Moskë. Ka ardhur koha për një takim, është koha për të folur”.
Sipas Zelenskyt kjo është e vetmja mënyrë që Rusia të ndalë dëmet që po shkakton për të cilat do të duheshin breza të tërë për t’u rikuperuar.