Pas “parajsës” së përjetuar ndaj Paris Saint Germain në Champions League, Real Madridi zbriti sonte me këmbë në tokë pikërisht në ndeshjen që nuk dëshiron kurrë të humbë, atë me Barcelonën.
Ekipi i Xavit dominoi tërësisht ndeshjen në “Bernabeu”, duke turpëruar Los Blancos me rezultatin e thellë 0-4.
Një rezultat i paparashikueshëm në fillim të ndeshjes, por që mund të ishte ndoshta edhe më i rëndë për djemtë e Carlo Ancelottit, që iu dorëzuan pa kushte shpejtësisë dhe teknikës katalanase.
Blaugranat kaluan në epërsi në minutën 29 me anë të ish Arsenalit Aubameyang, duke dyfishuar pak minuta më vonë me një goditje koke të Araujo.
Pjesa e dytë duket edhe me shokuese për madrilenët, pre e kundërsulmeve të Barcelonës. Në minutën 47, finalizimi për rezultatin 0-3 nga Ferran Torres është një aksion që do të mbetet gjatë si shembull perfekt i kundërsulmit, ndërkohë që po Aubameyang vulos disfatën e kryesuesve të kampionatit spanjoll në minutën 51.
Reali mbetet në një distancë sigurie nga Sevilla dhe nga vetë Barcelona, që duhet të “kafshojë buzët” për kohën e humbur.