Stoqet e grurit janë rritur dhe gjendja furnizuese është normalizuar në tregun vendas. Lajmi u bë i ditur gjatë një komunikimi që Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca pati me importuesit e grurit në bordin e radhës së monitorimit të çmimeve.
“Lajmi i mirë është që kemi tregje të hapura në të gjithë botën, pra tregjet janë rihapur dhe kjo na jep një hapësirë tjetër për blerje nëse ato nevojiten”.
Gjithashtu ministrja bëri të ditur se krahas rritjes së stokut të grurit dhe nënprodukteve të tij, ka filluar të normalizohet edhe sjellja e konsumatorëve.
“Lajmi tjetër i mirë është që sjellja konsumatore është ribalancuar, është stabilizuar dhe kështu kemi mundësi që të kemi një zinxhir tregtar shumë më normal se ai paniku i parë që solli një destabilitet në treg”.
Bordi ka dakordësuar për çmimin e miellit deri në datën 10 prill, ndërkohë gjatë takimit është dakorduar edhe mbi marzhet për çmimet e imputeve bujqësore si ureja, DAP-i, fosfat, nitrat. Ministrja Krifca tha se në rast nevoje, qeveria shqiptare do të japë likuiditet për importuesit e grurit nëpërmjet Fondit të Garancisë.