Princi William dhe Kate Middleton përfunduan turin e tyre një javor në Karaibe. Duka dhe Dukesha e Kembrixhit dhanë lamtumirën nga shkallët e avionit të tyre në Aeroportin Ndërkombëtar Lynden Pindling në Bahamas. Çifti i njohur udhëtoi në Belize, Xhamajka dhe Bahamas për të shënuar Jubileun Platinum të Mbretëreshës.
Disa e kanë përshkruar vizitën e dyshes si një ‘katastrofë’ pasi fotografitë e dukeshës duke shtrënguar duart me banorët vendas pas një gardhi me tel u duk e pahijshme.
Ndërkohë, dyshja u detyrua të anulonte një udhëtim në një fshat të Belizes pasi vendasit thanë se nuk janë të mirëpritur. Vizita e tyre është shënuar edhe me protesta për shkak të trashëgimisë së Perandorisë Britanike dhe shenjave të sistemit të monarkisë.
Gjatë një fjalimi të premten, William tha se mbështet dhe respekton çdo vendim që kombet e Karaibeve marrin për të ardhmen e tyre, pasi Belize, Bahamas dhe Xhamajka konsiderojnë ndërprerjen e lidhjeve të tyre me monarkinë britanike. Gjatë turneut të çiftit, nipi i Mbretëreshës Elizabeth nuk kërkoi falje për rolin historik të familjes së tij në tregtinë e skllevërve.