“Kur hyra në selinë e PD-së mu kujtua kohë kur shkoja të takoja babën në burgun e Spaçit”.
Kjo frazë e deputetit demokrat Tomor Alizoti i ka vënë vulën bunkerizimit të selisë blu nga ish-kryetari Lulzim Basha në ditët pëpara protestës së 8 janarit.
Disa gjëra u panë që në ditët e pas-protestës, por tashmë që dyert janë hapur shihet se selia blu ishte fortifikuar nga të katër anët.
“Përveç dyerve të blinduara, kishte pas tyre edhe trarë hekuri që peshon deri në 300 kg. Për heqjen e tyre janë dashur orë të tëra punë” – rrëfeu një burim brenda selisë blu për lapsi.al.
Por blindimi i dyerve dhe dritareve nuk ishte lënë me kaq. Një tjetër veprim ishte mbushja nga të katër anët e selisë së demokratëve me kamera sigurie. Vetëm në fasadën e saj shihen me sy të lirë të paktën 7 kamera.
Çmenduria shkon edhe më tej pasi kamera janë vënë edhe në pemët që ndodheshin në oborrin e PD-së.
“Vetëm në pjesën e jashtme të ndërtesës kanë qenë të instaluara rreth 20 kamera. 5 prej tyre kanë pasur një cilësi të lartë të figurës dhe me siguri duhet të jenë të kushtueshme” – tha i njëjti burim.
Kur Lulzim Basha u pyet për blindimin e dyerve përpara protestës së 8 janarit nisi të bënte ironi.
“Keni harruar të tregoni që kemi edhe tanke në bunkerë, helikopterë në tarracë, kemi edhe snajperë e marinsa mbrapa në aneks. Janë të gjitha të blindura” – tha Basha në atë kohë.
Të njëjtën linjë mbajti edhe Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi.
“Jo, nuk ka asnjë derë të blinduar, të asnjë zyre në selinë qendrore të PD. Çdo zyrë e selisë qendrore të PD, ka të njëjtat dyer dhe dritare që ka pasur gjithmonë. E vetmja derë me hekur është dera ku ndodhen panelet elektrike të godinës së PD” – së tha Bardhi në atë kohë.
Koha tregoi se e vërteta ishte ndryshe. Madje u dha edhe një mësim ideatorëve të këtij bunkerizimi se në politikë nuk mund ta mbash dot me forcë atë që nuk ta japin me votë.