Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçeski, dhe ai i Bullgarisë, Kiril Petkov, besojnë se së shpejti mund të ketë dakordësi mes dy vendeve për kapërcimin e mosmarrëveshjeve, çka do të çonte në heqjen e vetos bullgare për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit europian të Maqedonisë së Veriut.
Pas takimit në Sofje të shefave të qeverive të shteteve të Europës Juglindore, anëtare të NATO-s, Petkov tha se ka sinjale pozitive për kapërcimin e dallimeve për personalitetet historike dhe çështjet tjera dhe së shpejti mund të ketë marrëveshje. Petkov tha se përshpejtimin e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor e dikton edhe kriza që u shkaktua me luftën në Ukrainë.
“Pajtohem me vlerësimin se përballë krizës në Ukrainë, Ballkani Perëndimor duhet të jetë më i qëndrueshëm dhe rruga drejt një stabiliteti më të madh mund të arrihet me qasjen e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE. Kjo është e qartë dhe besojmë se kjo do të arrihet pasi kemi lajme të mira edhe për çështjet historike mes dy vendeve”.
Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, tha se procesi i zgjerimit duhet të përshpejtohet pasi çdo vonesë, sipas tij, mund të thellojë pasigurinë, të rrisë mosbesimin e qytetarëve në BE, por edhe t’i nxisë forcat tjera që të rrisin ndikimin në rajon.
“Zgjerimi i BE-së po bëhet politikë e sigurisë pasi ngecjet në këtë proces krijojnë pasiguri plotësuese në rajon. Kemi tendenca negative apo përpjekje për ndikime të qëllimshme të palëve të treta. Shtyrja e nisjes së bisedimeve krijon dilema që mund të rezultojnë me uljen e besimit te qytetarët ndaj BE”.
Kryeministri bullgar, Petkov, priti në Sofje homologët e tij nga Rumania, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Në këtë takim u diskutua për koordinimin mes këtyre shteteve në fushën e energjisë, sigurimin e gazit përmes Turqisë dhe Greqisë me qëllim uljen e varësisë nga gazi rus, sigurimin e produkteve ushqimore baze por edhe rritjen e kujdesit nga kërcënimet e jashtme.