Në #TelegrafiSpace në Twitter është diskutuar për dialogun dhe marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Folës në këtë diskutim është edhe gazetari Idro Seferi, i cili edhe ka komentuar zhvillimet e fundit politike si dhe mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale në Serbi.
Seferi ka thënë se vendimi për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, i ka penguar vetëm Vuçiqit për shkak të humbjes së votave.
Megjithatë, ai thotë se nuk ka pritur që të ketë tensione pas vendimit të Qeverisë së Kosovës.
“Nuk kanë pritur që të këtë tensione. Nuk besoj që Serbia e ka idenë që të bëjë një luftë të re në Ballkan, pasi as nuk e ka fuqinë, por që jep atë përshtypje se është e gatshme. Në asnjë moment nuk e pres që të këtë luftë. Zgjedhjet nuk kanë qenë fushatë agresive, fushata ka ndodhur këtë javën e fundit, pasi çdo gjë ka qenë e lidhur me luftën në Ukrainë”, tha ai.
Ai tha se kandidatët që janë në garë për president kanë qëndrime edhe më radikale se Vuçiqi ndaj Kosovës.
“Kandidatët për president kanë qëndrime edhe më radikale se Vuçiqi ndaj Kosovës. Fituesi do të jetë padyshim Vuçiqi, por do të shohim se sa do të ketë opozitë. Dëshira e opozitës ishte ta dërgonte në raundin e dytë presidentin Vuçiq”, pohoi ai.