Ambasadori i Ukrainës në Serbi, Oleksandr Alexandrovich, tha se njeriu që e filloi luftën mund ta ndalojë menjëherë, dhe ai është presidenti Putin. Pavarësisht se Serbia po e përkrah agresionin rus në Ukrainë, ai tha se Serbia është një partner i rëndësishëm ndërkombëtar për Ukrainën dhe se populli serb është shumë mikpritës.
Ambasadori ukrainas që ditë më parë tha se Ukraina nuk do të ndryshojë qëndrim karshi shtetit të Kosovës [nuk do ta njohë pavarësinë e saj], falënderoi Serbinë për propozimin për ta bërë Beogradin një vend për negociata mes Kievit dhe Moskës.
Përfaqësuesin diplomatik të Ukrainës në Serbi nuk po e pengon përkrahja që po i bën shteti serb agresionit rus në Ukrainë.
Ai e ka lavdëruar popullin serb, duke e quajtur popull mikpritës. Ambasadori ukrainas dukej sikur nuk banon në Beograd ku që nga fillimi i agresionit rus ka pasur tubime të qytetarëve në përkrahje të pushtimit të Ukrainës.
“Ne jemi mirënjohës për propozimin, Serbia është një partner i rëndësishëm ndërkombëtar për ne, Beogradi është një qytet i madh, dhe populli serb është shumë mikpritës. Mirëpo, me gjithë respektin, thelbi kryesor i bisedimeve, pavarësisht se ku zhvillohen ato janë negociatat. Do të shohim pas negociatave në Turqi se si do të zhvillohen më tej gjërat”, tha Aleksandrovich, për Televizionin shtetëror serb RTS, transmeton Telegrafi.
Ai thotë se është e rëndësishme që lufta të ndalet sa më shpejt dhe se “vetëm njeriu që e filloi luftën mund ta ndalojë menjëherë, e ai është presidenti (i Rusisë) Vladimir Putin”.
“Ne duam paqen në Ukrainë, por ajo nuk varet nga ne. Ne po mbrohemi në vendin tonë,” tha ambasadori ukrianas.
Sipas të dhënave të OKB-së, të paktën 1,179 civilë kanë vdekur gjatë luftës në Ukrainë deri më tani.
“Megjithatë, numri i të vdekurve është dukshëm më i lartë, pasi OKB-ja ofron vetëm të dhëna të konfirmuara 100 për qind, me emër dhe mbiemër. Disa mijëra njerëz vdiqën vetëm në Mariupol, shumë janë nën rrënoja dhe ne nuk e dimë se sa janë”, tha ambasadori Aleksandrovich.
Deri më tani, 10 milionë njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe 3.9 milionë janë larguar nga Ukraina.
Ambasadori thotë se ndihma humanitare dhe financiare po mblidhen dhe më pas po dërgohen në Ukrainë dhe nevojiten ushqime, ilaçe dhe veshmbathje.
Ai tha se në Komisariatin për Refugjatë në Serbi kanë aplikuar rreth 4200 persona, por vetëm 50 prej tyre kanë kërkuar strehim dhe e kanë marrë nga Qeveria e Serbisë.
“Dëshiroj të shpreh mirënjohje të veçantë ministrit Aleksandar Vulin për kujdesin ndaj refugjatëve, i cili në nëse nuk gaboj, është kreu i organit kompetent që merret me refugjatët. Gjithashtu dua të këshilloj ministrin Vulin që të bisedojë me refugjatët ukrainas, sepse kemi dëgjuar shkëmbime ndërmjet ambasadave ukrainase dhe ministrit Vulin për nazistët në Ukrainë. Le t’i pyesë se ku janë ata nazistët – nëse janë njerëz të bombarduar në ndërtesa apartamentesh apo pilotë rusë që po i bombardojnë ata”, tha ambasadori ukrainas në Serbi.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës një javë më parë ka marr vendim për ndarjen e mjeteve buxhetore në emër të dërgimit të kontingjentit të parë të ndihmave humanitare nga Republika e Kosovës për popullin e Ukrainës.
Propozim vendimi për ndarjen e mjeteve buxhetore 100 mijë euro emër të dërgimit të kontingjentit të parë të ndihmave humanitare nga Republika e Kosovës për popullin e Ukrainës u propozua nga Ministria e Punëve të Jashtme.