Partia Socialiste duket se ka gjetur zgjidhjen për dekriminalizimin. Ndryshimet statutore që pritet të miratohen në Kongresin e 9 prillit, përcaktojnë masa ekstreme për ata që i nxinë faqen partisë.
Kush në nivelet drejtuese dhe përfaqësuese fsheh problemet me drejtësinë, përjashtohet nga partia: “Deklarimi i pasaktë apo i rremë në formular/deklaratë është përgjegjësi personale penale dhe politike. Pavarësisht nëse përbën apo jo vepër penale, ndaj deklaruesit të pasaktë apo të rremë merret masa disiplinore e çregjistrimit nga partia”.
Edhe anëtarët e thjeshtë largohen automatikisht nga radhët e PS në rast të një dënimi të formës së prerë: “Ndërprerja e përhershme e anëtarësisë bëhet kur anëtari i partisë: Dënohet nga organet gjyqësore me vendim të formës së prerë me heqje lirie për kryerjen e një krimi”.
Socialistët kanë menduar edhe për administrimin e partisë në nivele lokale, teksa në çdo bashki do të shtohet një pozicion i ri, ai i Sekretarit Ekzekutiv: “Sekretari Ekzekutiv i Partisë në nivel bashkie është punonjës me kohë të plotë dhe përgjigjet për administrimin e aktivitetit të përditshëm të partisë, dokumentacionin, burimet materiale dhe çdo aspekt tjetër administrativ të funksionimit të partisë në nivel bashkie. Në punën e tij ai mund të ndihmohet dhe nga staf mbështetës”.
Socialistët do të votojnë dhe për shkarkimin e kryetarëve të degëve në rang bashkie, të cilët do t’i nënshtrohen një procesi të ri zgjedhor, duke patur parasysh dhe ndryshimet statutore.