Më 1 prill të vitit 2009, Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut – NATO, pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësim.
Pavarësisht periudhave të caktuara, vokacioni i popullit shqiptar ka qenë ndër shekuj perëndimor. 13 vjet më parë ky vokacion u materializua me anëtarësimin e Shqipërisë në aleancën më të madhe politiko-ushtarake që ka njohur bota”. Anëtarësia me të drejta të plota në NATO ka qenë një ndër hapat më të rëndësishëm të Shqipërisë. Kjo ngjarje i ka hapur rrugë integrimit në familjen evropiane dhe më tej.
Organizata ka aktualisht 30 vende anëtare. Ajo është themeluar më 4 prill 1949, në Washington, SHBA. Vendet themeluese janë: SHBA-ja, Franca, Britania e Madhe, Italia, Kanadaja, Holanda, Belgjika, Norvegjia, Danimarka, Portugalia, Luksemburgu dhe Islanda.
Paraqitja e parë e Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota e NATO-s u bë në Samitin e Aleancës që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill 2009, ndërkohë që më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, ndërsa një ditë më vonë Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri gjatë së cilës atij iu akordua titulli Doctor Honoris Causa nga Universiteti i Tiranës.
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO erdhi si rrjedhojë e vendimit të rëndësishëm për zgjerimin e Aleancës, të marrë më 3 prill 2008 nga të 26 krerët e shteteve dhe Qeverive të Aleancës gjatë një seance të posaçme të Samitit të NATO-s Bukuresht, nëpërmjet të cilit Shqipëria dhe Kroacia u ftuan të fillonin bisedimet për anëtarësimin. Ky vendim erdhi pas mbylljes të ciklit të 9-të të Planit të Veprimit për Anëtarësimin (MAP) të Shqipërisë me NATO-n dhe pas kryerjes të një sërë reformave që synonin plotësimin e kritereve të nevojshme për anëtarësimin në Aleancë.
Sipas traktatit, organizata ndihmon nëse një nga vendet përfshihet në luftë ose gjendet në rrezik. Anëtarët dhe fuqitë e tyre ushtarake ndërhyjnë në shuarjen e konfliktit. NATO ndërhyri me fuqitë ushtarake, duke bombarduar Serbinë dhe duke i dhënë fund luftës në Kosovë.