Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla në fillim të muajit mars mori pjesë në Forumin Demokratik që u mbajt në Antalya të Turqisë.
Në kuadër të këtij forumi Gërvalla zhvilloi takime me shumë homolog të saj nga vende të ndryshme të botës, në mesin e të cilëve ishte edhe ministri i Jashtëm palestinez, Riyad al-Maliki.
Gërvalla kishte njoftuar për takimin me ministrin e jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu, atë të Somalisë, Abdisaid Muse Ali, ministrin e Brunei Darussalamit, Dato Seri Setia Haji Eryëan bin Pehin Datu Pekerma Jaya Haji Mohd, atë të Senegalit, Aïssata Tall Sall si dhe ministrin e jashtëm të Mbretërisë së Bahrainit.
Por për dallim nga të gjithë homologët që Gërvalla takoi dhe bëri njoftime për takimet me ta, takimin me ministrin palestinez Gërvalla e mbajti të fshehur.
Ndryshe nga ministrja Gërvalla, këtë takim e kishte bërë publik vetë Ministria e Jashtme e Palestinës, përmes një postimi në Twitter më datë 12 mars 2022.
Në postimin e MPJ-së së Palestinës thuhet se ministri i jashtëm Al-Maliki ka sqaruar qëndrimin e shtetit të Palestinës për vendosjen e marrëdhënieve bilaterale me Kosovën.
Telegrafi ka dërguar pyetje në adresë të MPJD-së se cila ishte arsyeja që ministrja Donika Gërvalla nuk kishte njoftuar për këtë takim, por nuk ka marr asnjë përgjigje.
Lidhur me këtë mos-transparencë të MPJD-së, ka reaguar dje ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla. Haradinaj-Stublla përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se një mos-transparencë e tillë dëmton marrëdhënien e re të Kosovës me Izraelin dhe interesat afatgjate të Kosovës për të siguruar njohje të reja në Lindjen e Mesme.
“Kosova përveç që ka punuar shumë për të ndërtuar marrëdhënie zyrtare diplomatike me Shtetin e Izraelit, ka bërë përpjekje të mëdha për të zmbrapsur kampanjën ilegale të Serbisë për të penguar e dëmtuar njohjet ekzistuese dhe ato potenciale të Republikës së Kosovës. Këtu, me vite të tëra tashmë dihet se është ndihmuar shumë nga autoritetet palestineze, duke shfrytëzuar lidhjen e tyre të ngushtë historike me disa shtete të Lindjes së Mesme. Mos të harrojmë se kjo kampanjë kishte ndodhur ende pa vendosur Kosova marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe ende pa vendosur për hapjen e ambasadës në Jerusalem”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.
Ajo ka shtuar se Kosova nuk ka asnjë përgjegjësi morale ndaj Palestinës, dhe se ministrja Gërvalla nuk është dashur të ndihet në borxh duke e mbajtur larg publikut.
Për takimin e Gërvalles me ministrin palestinez Al-Maliki ka folur edhe ambasadori palestinez në Beograd, Mohamed Nabhan. Ai ka thënë se pozicioni i Palestinës në raport me njohjen e shtetit të Kosovës nuk ndryshon, duke shtuar se takimi Gërvalla – Al-Maliki, “nuk do të thotë asgjë”.
“Fakti se ministri [palestinez] u takua në margjinat e një takimi në Turqi nuk do të thotë asgjë për ne, dhe nuk ndryshon asnjë qëndrim”, ka thënë Mohamed Nabhan.