Mbrëmja e kësaj të marte rikthen në fushë emocionet e Champions League, ku do të luhen edhe ndeshjet e dyta të fazës çerekfinale.
Blutë e Londrës kanë një detyrë të vështirë, për të mos thënë e pamundur. Pas humbjes 3-1 në shtëpi, skuadra e Tuchel do të kërkojë përmbysjen e madhe përballë gjigantëve të Real Madrid në Santiago Bernabeu.
Përballë një Reali të frikshëm të udhëhequr nga Karim Benzema, anglezët duhet të bëjnë çmos për të besuar tek mrekullia. Londinezët duhet të bëjnë llogaritë pa Azpiliqueta, Chilwell dhe Lukaku, ndërsa skuadra e Ancelotti nuk do të ketë Isco, Militao dhe Hazard.
Dueli do të luhet sot në mbrëmje, në orën 21:00.
Në sfidën tjetër mes Bayern dhe Villarreal, çdo gjë mbetet e hapur, edhe pse spanjollët kanë në favor fitoren minimale të ndeshjes së parë. Megjithatë, bavarezët kanë treguar se në shtëpinë e tyre “Allianz Arena”, tregojnë një tjetër fytyrë e aq më tepër kur bëhet fjalë në një ndeshje Champions, një nga objektivat kryesorë të skuadrës.
Tolisso dhe Chupo Mouting nuk do të jenë në dispozicion të teknikut Nagelsmann, ndërsa tek spanjollët me shumë gjasa do të mungojë Alberto Moreno.
Dy skuadrat do të luftojnë fort për ta fituar ndeshjen, por në fund vetëm njëra prej tyre mund të presë një biletë për në gjysmëfinale të Champions League.
Dueli luhet sot në mbrëmje, në orën 21:00.