Legjenda e Newcaste United, Alan Shearer, e ka kritikuar Mohamed Salahun për paraqitjen, siç e ka quajtur ai, tmerrësisht të dobët në pjesën e parë në barazimin e Liverpoolit me Manchester Cityn të dielën në Etihad.
Dy rivalët për titull në Premierligë këtë sezon u ndanë baras 2:2 në një ndeshje drithëruese që cilësohej si vendimtare në garën për titull. City ishte dy herë në epërsi, por të kuqtë ia dolën të riktheheshin në të dy rastet për ta shmangur humbjen.
Megjithëse e kritikoi sulmuesin egjiptian për paraqitjen e tij në pjesën e parë, Shearer e lavdëroi atë për ndikimin që e pati në lojën në pjesën e dytë, kur e përgatiti golin e barazimit 2:2 të shënuar nga Sadio Mane.
“Pas pjesës së parë, i shikova statistikat e Mohamed Salahut: asnjë goditje në portë, asnjë harkim, asnjë driblim dhe shumë topa të humbur”, tha Shearer për The Athletic.
“Bazuar në standardin e tij, ishte paraqitje e tmerrshme. Por pastaj ai u fut në pjesën e dytë dhe e bëri pasimin e përkryer për golin e barazimit”, shtoi 51-vjeçari.
Salah ka tani pesë ndeshje pa shënuar gol në të gjitha garat dhe ish-sulmuesi i Anglisë beson se është vetëm çështje kohe para se 29-vjeçari ta rigjejë formën e vet më të mirë.
“Në lojtarët e mëdhenj si Salah nuk duhet të kesh dyshime kurrë dhe është vetëm çështje kohe para se ai ta rigjejë rrugën e golit. Ai është në gjendje të bëjë paraqitje të shkëlqyer nga asgjë”, shtoi ai.
Këtë sezon, Salah i ka shënuar 20 gola në Premierligë dhe i ka dhuruar 11 asiste.
Në Ligën e kampionëve, anësori egjiptian ia ka dalë t’i shënojë tetë gola në nëntë ndeshje. Ai mund ta shtojë këtë numër të mërkurën, kur Liverpooli e pret Benfican në ndeshjen e kthimit çerekfinale.
Në ndeshjen e parë në Portugali, Liverpooli fitoi 3:1 dhe është në binarë për ta arritur gjysmëfinalen në garën më prestigjioze evropiane për klube.