Shteti hungarez bëhet aksioner në dy kompanitë shqiptare të sektorit të telekomunikacioneve, ALBtelecom dhe ONE, nëpërmjet kompanisë hungareze 4iG.
Në një njoftim për shtyp, 4iG ka bërë të ditur se i ka transferuar kuotat që zotëron në dy kompanitë shqiptare të sapoblera tek operatori hungarez i telekomunikacioneve Antenna Hungaria, në formën e kontributit për rritjen e kapitalit të kësaj kompanie.
4iG shton se ka kontribuar në kapitalin e Antenna Hungaria me 80.27 për qind të aksioneve që zotëron në ALBtelecom dhe 99.8 për qind në One Telecommunications.
Kapitali i shtuar është llogaritur me një vlerë totale kontabël prej 132 miliardë forintash hungareze ose rreth 350 milionë eurosh. Si rezultat i transaksionit, 4iG e rrit më tej pjesëmarrjen në 76.78 për qind të aksioneve në Antenna Hungaria, ndërsa shtetit hungarez i ngelen 23.22 për qind të aksioneve në të.
Në gusht të vitit të kaluar, 4iG ra dakord me shtetin hungarez për të krijuar një grup kombëtar të telekomunikacionit duke bashkuar portofolin e telekomunikacionit të kompanisë së tregut të kapitalit me Antenna Hungary.
Synimi i pjesëmarrësve ishte krijimi i një grupi kompanish nga transaksioni që falë madhësisë, efikasitetit dhe infrastrukturës të mund të ofrojë shërbime konkurruese në tregun vendas dhe rajonal të telekomunikacionit.