Antonio Conte pati shqetësime pas triumfit të Tottenham ndaj Aston Villa-s në javën e kaluar dhe kërkoi t’i nënshtrohej testit të COVID-19. Rezultati ishte pozitiv dhe gjatë kësaj jave, tekniku italian ka qëndruar larg skuadrës duke ia besuar seancat stërvitore stafit të tij.
Megjithatë, Conte shprehet besimplotë se do të jetë në pankinë në ndeshjen e së shtunës, në të cilin Tottenhami i tij është pritëse ndaj Brighton, teksa gara për një katër vendet e para të Premier League bëhet gjithnjë e më e ethshme për Spurs.
“Pas ndeshjes me Aston Villën nisa të kisha disa simptoma gripi dhe kërkova të bëja testin e COVID që në fund rezultoi pozitiv. Por, tani jam mirë dhe nuk kam asnjë shqetësim, kjo javë ishte pak e çuditshme për mua dhe futbollistët.
Ata nuk janë mësuar të stërviten pa mua, por është në rregull sepse stafi im ka bërë një punë të shkëlqyer. Kam marrë pjesë në një nga stërvitjet, sigurisht isha i veçuar nga pjesa tjetër dhe besoj se të shtunën do të jem si zakonisht në stol. Kjo pasi kanë kaluar disa ditë prej momentit kur rezultova i infektuar”, u shpreh Conte.