Shqipëria ka bërë sërish hapa pas në raportin vjetor mbi lirinë e medias të Reporterëve pa Kufij (RSF), duke humbur tre vende dhe duke u renditur e 83-ta nga 180 vende në indeks. Kjo rënie vjen pas një përmirësimi të dukshëm një vit më parë, kur Shqipëria u rendit e 80-ta, nga vendi i 99-të në vitin 2024. Në rajon, vendi ynë pozicionohet pas Maqedonisë së Veriut dhe menjëherë para Kosovës (84) dhe Greqisë (86).
Raporti i RSF-së vë në dukje se mjedisi mediatik në Shqipëri vuan nga probleme strukturore dhe një ndërthurje e dëmshme mes interesave politike dhe ekonomike.
“Në Shqipëri, liria e shtypit dhe pavarësia e medias kërcënohen nga konfliktet e interesit midis botës së biznesit dhe asaj politike, një kuadër ligjor i mangët dhe rregullim partiak. Gazetarët janë viktima të akteve të frikësimit nga politikanët dhe krimi i organizuar”, thuhet tekstualisht në raportin e RSF-së.
Raporti vë në dukje se gazetarët kritikë ndaj autoriteteve shpesh janë objekt sulmesh që synojnë t’i diskreditojnë, si nga qeveria ashtu edhe nga opozita. Po ashtu, raporti thekson dhunën ndaj gazetarëve në protesta dhe vë në dukje se kërcënimi nga krimi i organizuar është më i madhi. Raporti po ashtu ka theksuar bllokimin e TikTok-ut nga qeveria dhe vendimin e Kushtetueses që e gjeti këtë si një cenim të lirisë së shprehjes.
Rënia e Shqipërisë në këtë indeks ka sjellë reagime nga organizatat e gazetarëve. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) e sheh me shqetësim të thellë përkeqësimin, duke theksuar se ai konfirmon problematikat e ngritura në vazhdimësi nga organizata.
“AGSH-ja vlerëson si veçanërisht shqetësuese konstatimet mbi presionin politik ndaj gazetarëve, vështirësitë për akses në informacion publik dhe përpjekjet për të diskredituar gazetarët kritikë”, thuhet në reagimin e organizatës pas publikimit të indeksit.
Sipas AGSH-së, “ndërthurja e interesave mes politikës dhe biznesit, mungesa e transparencës në financimin e medias dhe presioni politik mbi redaksitë vijojnë të minojnë lirinë editoriale.”
Në të njëjtën linjë me AGSH-në, Blerjana Bino nga Rrjeti Safe Journalists Albania vëren se ky zhvillim dëshmon një “progres të paqëndrueshëm dhe sfida të vazhdueshme strukturore në mjedisin mediatik”.
Bino thekson se “krimi i organizuar përbën një nga kërcënimet më serioze për sigurinë, duke krijuar një klimë që ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si raportohet për çështje me interes publik.” Ajo thekson se ndryshimi kërkon zbatim real të standardeve dhe rritje të llogaridhënies.
Reagim pati edhe nga opozita. Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e konsideron këtë rënie si një shenjë të rrëshqitjes së vendit drejt “një autokracie elektorale”.
“Rënia në indeksin e lirisë së medias nuk është rastësi. Vetëm në një vit, Shqipëria ka humbur edhe 3 vende të tjera, duke konfirmuar një trend të vazhdueshëm përkeqësimi. Në një dekadë, rënia është dramatike,” shprehet Tabaku, që përmend në reagimin e saj edhe sulmet ndaj gazetarëve në vend, përfshirë djegien e makinës së Sami Currit në Bulqizë vetëm disa ditë më herët. Rast për të cilin autoritetet ende nuk kanë përgjigje.
Ajo thekson se reklamat dhe fondet publike po përdoren “si instrument kontrolli, jo si mbështetje për informimin.” Tabaku kujton gjithashtu sulmet ndaj mediave dhe gazetarëve, si dhe paralajmëron se ndërhyrja politike mbetet e lartë. Si reagim ndaj situatës, ajo përmendi se Partia Demokratike ka propozuar “ndryshime në Kodin Penal për të garantuar që legjislacioni të mos cenojë lirinë e shprehjes” dhe “amendamente për dekriminalizimin e shpifjes”.
Përtej Shqipërisë, raporti i këtij viti i RSF-së vizaton një tablo mjaft të zymtë në nivel global. “Për herë të parë në historinë e Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij (RSF), në mbi gjysmën e vendeve të botës liria e shtypit bie në kategoritë ‘(gjendje) e vështirë’ ose ‘shumë serioze’”, thuhet në Raport.
Raporti vë në dukje kufizimet gjithmonë e më të mëdha mbi informacionin dhe thekson se rënia e këtij viti është më e madhja në 25 vitet e fundit të indeksit. “Treguesi ligjor i Indeksit ka shënuar rënien më të madhe gjatë vitit të kaluar, një shenjë e qartë se gazetaria po kriminalizohet gjithnjë e më shumë në mbarë botën”, thuhet ndër të tjera për gjendjen e lirisë së mediave në botë.

