Koreja e Veriut vazhdon programin e saj të armatimit bërthamor duke shmangur sanksionet, sipas një raporti të OKB-së që vjen pas serisë së fundit të testeve të raketave, rëndësia e të cilave u minimizua nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Regjimi dekretoi në vitin 2018 një moratorium për provat bërthamore dhe hedhjen e raketave me rreze të gjatë veprimi. Bëhet fjalë gjithashtu për mbylljen e qendrës së provave bërthamore të Punggye-ri.
Por, sipas raportit të publikuar dje nga Kombet e Bashkuara, Pheniani nuk ka ndërprerë zhvillimin e raketave bërthamore.
“Programi bërthamor i Republikës popullore demokratike të Koresë vazhdon pavarësisht mungesës së provave bërthamore dhe mbylljes së qendrës bërthamore Punggye-ri”, theksoi një grup ekspertësh i OKB-së në një raport që i referohet periudhës nga shkurti në gusht./ATSH/