Ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, ka përsëritur se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të ndihmuar Kosovën në rrugën drejt institucioneve evropiane dhe euro-atlantike.
Në një adresim para mediave bashkë me presidenten Vjosa Osmani, Donfried ka thënë se SHBA dëshiron një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi me njohje reciproke.
Ajo thotë se pas luftës në Ukrainë është shumë e rëndësishme që të vazhdohet me reforma për t’u integruar në institucionet veri-atlantike.
“Lufta e pajustifikuar dhe brutale në Rusi, na ka treguar sa e rëndësishme dhe urgjente është që të punojmë për të siguruar që Kosova dhe fqinjët e saj të vazhdojnë reformat e domosdoshme për konsolidimin e demokracisë dhe integrimin e tyre në institucionet euroatlantike”.
Donfried ka përmendur po ashtu se procesi i dialogut me Serbinë duhet ta ketë në qendër njohjen e ndërsjellë.
“Edhe pse e fituar me shumë mund, paqja dhe progresi i Kosovës nuk duhet të merren si punë të kryera. Të gjithë ne duhet të punojmë çdo ditë për të siguruar nevojat e qytetarëve. Kjo do të thotë avancimin e përpjekjeve për të siguruar që Kosova e merr vendin e duhur në institucionet e saj evropiane dhe euroatlantike përfshirë përmes marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë që përqendrohet në njohjen e ndërsjellë”.
Mes tjerash, zyrtarja amerikane ka thënë se dëshiron të sigurojë secilin qytetar të Kosovës, që mund të jetë i shqetësuar për situatën e sigurisë, se SHBA vazhdon të mbetet aleate e fuqishme dhe ka përmendur KFOR-in (misionin paqeruajtës të NATO-s), si manifestim i përkushtimit amerikan për sigurinë në Kosovë.
“Shumë kosovarë janë të shqetësuar për sigurinë e Kosovës. Dua t’iu sigurojë se përkushtimi i SHBA-së dhe aleatëve mbetet i fuqishëm. KFOR-i, që është zbarkimi më i madh i NATO-s, është një manifestim i madh dhe i dukshëm i përkushtimit tonë të vazhdueshëm për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës. SHBA-ja është krenare që Kosova mund ta quajë partnere të saj”, tha Donfried.
Përveç fushës së sigurisë, ajo ka përmendur përkushtimin e SHBA-së për të ndihmuar Kosovën në fusha tjera.
“Është e qartë për mua se resursi kryesor i Kosovës është po ashtu diçka që duhet të mbrohet, fuqia juaj e re punëtore dhe inovative. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë me ju derisa zgjeroni ekonominë tuaj, zgjeroni integrimin rajonal dhe ndërtoni një sektor të energjisë të fuqishëm dhe divers”. Donfried lavdëroi Kosovën për strehimin e afganëve, duke thënë se me këto veprime ajo tregoi lidership në skenën ndërkombëtare.