Bordi i Twitter ka rënë dakord për të pranuar ofertën e blerjes prej 44 miliardë dollarësh nga miliarderi Elon Musk, për të marrë kontrollin e një prej kompanive më të mëdha të rrjeteve sociale.
Musk, i cili e bëri ofertën shokuese më pak se dy javë më parë, deklaroi se është personi i duhur për të zhbllokuar potencialin e jashtëzakonshëm të këtij rrjeti.
Ai ka sugjeruar një sërë ndryshimesh nga lehtësimi i kufizimeve të përmbajtjes deri tek zhdukja e llogarive false. Firma fillimisht e kundërshtoi ofertën e Musk, por tani do t’iu kërkojë aksionerëve të votojnë për të miratuar marrëveshjen.
Musk është njeriu më i pasur në botë, sipas revistës Forbes, me një vlerë neto prej 273.6 miliardë dollarësh, kryesisht për shkak të aksioneve të tij në prodhuesin e automjeteve elektrike Tesla si dhe kompanisë së hapësirës SpaceX.
“Fjala e lirë është baza e një demokracie funksionale dhe Twitter është sheshi dixhital i qytetit ku debatohen çështje jetike për të ardhmen e njerëzimit”, tha Musk.