Rusia po planfikon sulme hibride për të destabilizuar qeverinë pro-perëndimore të Moldavisë, paralajmërojnë zyrtarë ukrainas dhe moldavë, pasi një seri shpërthimesh tronditën rajonin speratist të Transnistria, në kufi me Ukrainën.
Burime të inteligjencës perëndimore thonë se Moska mund të përdorë trupat e stacionuar në rajonin separatist për të ndërmarrë sulme ndaj Ukrainës.
“Qëllimi i tyre është të destabilizojnë Moldavinë”, tha një zyrtar i agjencisë së zbulimit të Ukrainës, që citon përgjime të agjentëve të FSB-së ruse, të cilët operojnë në vend.
Paralajmërimi erdhi pasi Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, fajësoi forcat pro luftës, për sulmet në Transnistria: “Informacionet tona sugjerojnë se ka tensione mes forcave të ndryshme brenda rajonit, që janë të interesuara të destabilizojnë situtatën. Kjo e bën rajonin e Transnistria tejet vulnerabël dhe krijon rreziqe për Moldavinë. Ne dënojmë çdo provokim apo përpjekje për të përfshirë vendin tonë në veprime që mund të kërcënojnë paqen”.
Zyrtari i inteligjencës ukrainase vlerëson se operacioni destabilizues mund të kulmojë rreth 9 majit, kur Rusia përkujton fitoren e Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste. “Rusia mund të sulmojë Moldavinë në çdo moment. Ata e kanë këtë opsion në tryezë”, thotë zyrtari.
Rusia tha javën e kaluar se mes synimeve të reja të luftës në Ukrainë ishte marrja e kontrollit të bregdetit jugor dhe krijimi i një rruge të re për në Transnistria. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cilësoi si të rreme pretendimet për ndërhyrjen e Rusisë në Moldavi. Presidentja Sanadu mblodhi të enjten Këshillin e Sigurisë, pas sulmit ndaj një godine të qeverisë lokale në rajonin separatist dhe shpërthimeve që shkatërruan dy antena radio.