Ditët e fundit është raportuar për rritje të luftimeve në rajonin lindor të Donbasit, i cili përbëhet nga Donetsk dhe Luhansk.
Bëhet fjalë për një rajon, një pjesë e të cilit kontrollohej nga separatistët e mbështetur nga Rusia përpara fillimit të agresionit dhe Rusia ka thënë se synon të marrë kontrollin e të gjithë rajonit.
Por raporti i fundit i inteligjencës i Ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar thotë se forcat ruse ende përballen me “sfida të konsiderueshme”, përcjell Telegrafi.
“Rusia është detyruar të bashkojë dhe të ridislokojë njësi të lodhura dhe të ndryshme nga përparimet e dështuara në veri-lindje të Ukrainës”, thotë inteligjenca britanike, duke shtuar se “shumë nga këto njësi ka të ngjarë të vuajnë nga morali i dobësuar”.
“Rusia shpreson të korrigjojë çështjet që kanë kufizuar më parë pushtimin e saj duke përqendruar gjeografikisht fuqinë luftarake, duke shkurtuar linjat e furnizimit dhe duke thjeshtuar komandën dhe kontrollin”, thotë tutje Ministria e Mbrojtjes.
Por shton se forcat ruse ende përballen me “mangësitë në koordinimin taktik”, një “mungesë të aftësive” dhe “mbështetje të paqëndrueshme ajrore”.