Turqia dhe Greqia kanë qenë në prag të luftës, verën e vitit 2020. Kështu është shprehur për gazetën greke Kathimerini, ambasadori amerikan në Athinë, Xhefri Payat, i cili zbuloi kështu rrezikun që shumë pranë nesh të shpërthente një konflikt i ashpër.
Ambasadori, tha në intervistën e tij se situata ishte shumë e nxehtë verën e 2020-ës, dhe nëse do të kishte vazhduar ashtu do të kishim parë një përplasje të vërtetë ushtarake mes Turqisë dhe Greqisë, të dyja këto vende anëtare të NATO-s. Madje sipas tij, situata ishte shumë më e rëndë nga sa qytetarët kishin parë në televizione.
Sidoqoftë, ambasadori nënvizoi se ndërhyrja e SHBA për të mbajtur në kontroll tensionet mes dy vendeve pati rezultate dhe kështu u evitua një konfrontim direkt.
“Ju keni dëgjuar nga Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Mike Pompeo të thoshte se ne menduam se kjo ishte një krizë shumë serioze dhe ne ishim shumë aktivë për të ndihmuar, për të mbajtur gjërat në kontrolli”, tha ai.
Zhvillimet në Ukrainë sipas ambasadorit, mundësojnë tani që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të bëjnë gjithçka që munden për të siguruar që “Turqia do të sillet si një aleat i mirë i NATO-s, por edhe ndaj të gjithë fqinjëve të saj”.
Ky i fundit u ndal edhe tek garancia e sigurisë, ndërsa tha se neni 5 siguron gatishmërinë për të ofruar forca, pajisje dhe fonde amerikane për të forcuar dhe për të mbrojtur vendin në rast sulmesh. Greqia dhe Turqia kanë qenë prej kohësh në mosmarrëveshje për një sërë çështjesh, duke përfshirë të drejtat territoriale në Detin
Egje. Greqia thotë se ka të drejtën e saj për të zgjeruar ujërat territoriale nga gjashtë deri në dymbëdhjetë milje detare rreth ishujve të saj në Detin Egje.